POLONI – Gjykata Supreme heq imunitetin e një gjyqtari, pavarësisht kundërshtimit të GJED-së

VARSHAVË, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Dhoma Disiplinore e Gjykatës Supreme të Polonisë hoqi imunitetin e një gjyqtari, pavarësisht një urdhri të përkohshëm nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) që bllokonte aktivitetet e kësaj dhome.

Dhoma Disiplinore pranoi një kërkesë përkatëse nga zyra e prokurorit për të lejuar ndjekjen e gjyqtarit penalist, Marek Pietruszynski me akuza relativisht të lehta për neglizhencë në disa nga rastet e tij të kaluara.

Në Poloni, gjyqtarëve dhe prokurorëve u jepet automatikisht imuniteti, i cili duhet t’u hiqet nga gjykatat para se këta të fundit të gjykohen.

Në korrik, Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi që Dhoma Disiplinore nuk kishte dhënë garancitë e nevojshme për pavarësinë dhe paanësinë e saj.

Më pas, Gjykata Evropiane e Drejtësisë lëshoi ​​një urdhër të përkohshëm për të ndaluar aktivitetet e dhomës, urdhër që u shpërfill nga Varshava.

Si rezultat, Komisioni Evropian i ka kërkuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që të vendosë sanksione ndaj Polonisë.

Dhoma Disiplinore është qendra e reformave të diskutueshme gjyqësore të prezantuara nga qeveria konservatore polake në pushtet ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS), e cila i jep asaj fuqinë të shkarkojë çdo gjyqtar ose prokuror.

Kritikët e këtij institucioni kanë frikë se mund të përdoret për të dënuar gjyqtarët për vendime të pavarura./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.