Del Monaco: Përpjekje të përbashkëta për zbatimin e efektshëm të të drejtave të njeriut

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco mori pjesë sot në një forum diskutimi me studentë të Shkollës së Magjistraturës, pas shfaqjes së dokumentarit “Kodi”/”The Code”, i cili trajton çështjen e juridiksionit universal në legjislacionin penal ndërkombëtar.

Në fjalën e tij, Del Monaco theksoi nevojën për përpjekje të përbashkëta – me në krye institucionet e drejtësisë, avokatët e të drejtave të njeriut dhe aktivistët e shoqërisë civile – për të arritur një zbatim të efektshëm të të drejtave të njeriut, si në nivelin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Ai theksoi rolin që ka arti dhe konkretisht, kinemaja, në përhapjen e kulturës ligjore në vend. Në këtë frymë, ai lavdëroi drejtorin e Festivalit.

Në forum folën edhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi dhe drejtorja ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erinda Skëndaj.

Dokumentari është mes 34 filmave që po shfaqen, këtë javë, në Tiranë, në edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi me mbështetjen e disa partnerëve, përfshirë Prezencën e OSBE-së.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.