
UASHINGTON, 17 shtator /ATSH-DPA/ – Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj pesë mbështetësve financiarë të organizatës terroriste Al Kaeda që veprojnë në Turqi.
”Sanksionet synojnë pesë persona të kombësive të ndryshme, të cilët i kishin ofruar ndihmë financiare dhe logjistike grupit terrorist”, theksoi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një deklaratë.
”Egjiptianët Majdi Salim dhe Muhammad Nasr al-Din al-Ghazlani dhe turqit Nurettin Muslihan, Cebrail Guzel dhe Soner Gurleyen u dënuan për ndihmën materiale, sponsorizimin ose ofrimin e mbështetjes financiare, materiale ose teknologjike në mbështetje të grupit terrorist”, thuhet në deklaratë.
“Këto sanksione të synuara nxjerrin në pah angazhimin e palëkundur të SHBA për të shkëputur mbështetjen financiare për Al Kaedën”, theksoi Andrea Gacki, drejtor i Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë të huaj, përfshirë Turqinë, për të ekspozuar dhe shkatërruar rrjetet e mbështetjes financiare të Al Kaedës”, shtoi ai.
“SHBA nuk do t’i harrojnë kurrë viktimat e sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe komplote të tjera të Al Kaedës në të gjithë botën. Ne do të vazhdojmë të synojmë ata që kërkojnë të shkaktojnë dëm ndaj SHBA, qytetarëve tanë dhe interesave tona”, theksoi Blinken./ /os/






















