Betimi i qeverisë, Meta: I gatshëm në çdo moment. Demokracia në Shqipëri më mirë se para 25 prillit

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh sot nga Korça në një prononcim për mediet, se situata e demokracisë në vendin tonë është më mirë se para 25 prillit.

“Sa i takon situatës së demokracisë në vendin tonë edhe ajo kuptohet që është në gjendje problematike. Nuk është ndoshta ashtu siç do të donin shumë, përfshirë dhe mua, pas 25 prillit, por pa asnjë diskutim është shumë më mirë se situata katastrofike e para 25 prillit, në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues dhe funksional, në kushtet e zero opozitës në të gjitha institucionet kryesore qendrore dhe vendore të vendit”, theksoi Meta.

“Kështu që aktualisht pas 25 prillit sidoqoftë janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë, për një demokraci funksionale, për një parlament funksional dhe ai është qëllimi ynë kryesor, dhe duhet të jetë i të gjithë qytetarëve: që demokracia të funksionojë, që zëri i tyre të dëgjohet, që premtimet e atyre që votohen të mbahen”, tha Meta.

I pyetur nëse i qëndron ende deklaratës së tij se do të jepte dorëheqjen nëse Rama merrte mbi 70 mandate, Meta u shpreh se, “tani nuk jemi këtu për të interpretuar dhe për të nxjerrë jashtë kontekstit se çfarë kam thënë unë. Unë jam këtu për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe këtë gjë e kam bërë edhe para 25 prillit”.

“I gjithë protagonizmi im, jo i zakonshëm në 2 vitet e fundit, nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta, por ka qenë i imponuar, në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës, në kushtet e braktisjes nga opozita të gjithë institucioneve që nga parlamenti, pushteti vendor e çdo gjë tjetër, por edhe në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të mazhorancës për të kapur çdo institucion, në mënyrë të veçantë Gjykatën Kushtetuese, në mënyrën më antikushtetuese dhe të denoncuar qartë edhe nga Komisioni i Venecias. Për të kapur edhe institucionin e Presidentin të Republikës përpara zgjedhjeve dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë, për ndryshimin dhe për qytetarët”, theksoi Meta.

“Kështu që unë jam i detyruar të respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Aktualisht askush nuk duhet të presë që Presidenti i Republikës të marrë përsipër detyra që u takojnë aktorëve të tjerë politikë. Shpresojmë që opozita të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament, që parlamenti të jetë më funksional, që sistemi i llogaridhënies të nisë të funksionojë në mbrojtje të interesit publik. Dhe po kështu edhe të gjithë institucionet e tjera të rimarrin veten, të fitojnë integritetin e tyre dhe të respektojnë gjithmonë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Meta.

I pyetur nëse është cenim i sovranitetit ndërhyrja e ambasadorëve, Meta theksoi se, “së pari, sovraniteti është respektim i vullnetit të qytetarëve dhe nuk ka mbrojtës më të mirë të sovranitetit edhe kombëtar sesa vetë sovrani, vetë qytetari, sigurisht kur ai është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e votë së tij, kur e mbron, kur nuk e shet, kur nuk e tregton në këmbim të gjërave të momentit, të cilat i humbet shumë shpejt”.

“Sa i takon sovranitetit pa asnjë diskutim që fjala kyç për dekadat që vijnë për Shqipërinë është sovranitet, që nuk do të thotë mos përmbushje e detyrimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s ku jemi anëtarë prej kohësh, apo ndaj BE, ku dëshirojmë të anëtarësohemi, por një proces tepër i ngadalësuar për fat të keq. Pasi të gjithë detyrimet tona në raport me këto institucione dhe organizata ne i kemi të fiksuara qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, theksoi Meta.

“Unë besoj se në radhë të parë është e rëndësishme t’i kthejmë sovranitetin qytetarëve, ata të mos injorohen më, ata të mos përjashtohen më, ata të mos vendosen përpara faktit të kryer. Ata të mos jenë më viktimë e arbitraritetit dhe e kulisave të elitave, të cilat kanë kërkuar dhe kërkojnë ta nxjerrin këtë sistem jashtë kontrollit të qytetarëve. Është bërë një hap me 25 prillin, por hapa më të mëdhenj dhe më të shpejtë priten dhe pa asnjë diskutim që të ndodhin në të ardhmen besoj”, u shpreh Meta.

I pyetur se kur do të thërrasë kryeministrin Rama për betimin dhe nëse do ta takojë atë, Meta u shpreh se, “në çdo moment kemi qenë dhe jemi të hapur për të përmbushur të gjitha detyrimet kushtetuese sa i takon këtij procesi, pasi parlamenti i ri tashmë ka nisur punë dhe i urojmë të jetë një parlament sa më funksional, sa më demokratik. Dhe natyrisht edhe qeveria e re duhet të fillojë punën sa më parë dhe njëkohësisht edhe kontrolli i parlamentit ndaj qeverisë”.

I pyetur se si e komenton betejën e z. Berisha për rikthimin e tij në PD, Meta tha se, nuk dëshiron të merret me çështje të tilla për arsye se nuk është kjo detyra e tij.

“Sigurisht që z. Berisha, nuk mund të rri pa e thënë, që është si vera, sa më shumë kohë kalon, aq më tërheqës bëhet, por aq edhe më demokrat bëhet”, tha ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.