Ballina Ekonomi

Nyja “Shqiponja”, hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli nr. 5

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Në nyjen “Shqiponja”, në hyrje të Tiranës, është hapur për qarkullimin e automjeteve tuneli numër 5, duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila inspektoi kantierin sot, tha se janë drejt përfundimit punimet për realizimin e plotë të kësaj vepre, e cila i jep kryeqytetit një hyrje të denjë duke lehtësuar trafikun për automjetet dhe lëvizjen për këmbësorët.

“Realizimi i punimeve është drejt përfundimit në këtë nyje. Ka mbetur për t’u përfunduar vetëm tuneli nr. 1 që parashikohet të hapet edhe ai brenda 17 ditëve”, tha Ballluku.
Me hapjen e tunelit nr. 5 bëhen tre tunele funksionalë.

Ministrja u bëri thirrje qytetarëve të kenë kujdes, pasi tanimë trafiku në këtë nyje merr formën e tij përfundimtare, të ndjekin sinjalistikën, ndërsa informoi se policia rrugore do të jetë e vendosur në të gjithë zonën, deri sa drejtuesit e automjeteve të kuptojnë se si lëvizet.

Po ashtu, Balluku theksoi se janë 8 semaforë që rregullojnë të gjithë trafikun në këtë nyje, por që do të shërbejnë së bashku me qendrën e menaxhimit të trafikut që do të vendoset në këtë zonë edhe si rregullator i fluksit të trafikut në Tiranë.

“Kjo nyje do të ketë edhe një qendër të menaxhimit të trafikut, pjesë e paketave së sigurisë rrugore. Vazhdojmë të investojmë në sinjalistikë, por edhe në automatizimin e sigurisë rrugore”, tha ajo.

Sipas Ballukut, me përfundimin e 3 loteve të para të Unazës Perëndimore dhe shumë shpejt e 2 loteve në Unazës Lindore merr formë më shumë se gjysma e Unazës së Madhe të Tiranës, duke i lënë mundësinë hapjes së kantiereve të tjera.

Ajo u shpreh se jemi në procedurë sa i përket hapjes së loteve të tjera nga “Sheshi Shqiponja” në drejtim të Bulevardit të Ri, Paskuqan dhe më pas në pjesën e Shkozës, ku vjen Unaza Lindore, duke i dhënë kështu Tiranës veprën infrastrukturore më të madhe, por edhe gjithë Shqipërisë ndërkohë, pasi Unaza e Madhe do të lidhet në të gjitha hyrjet nga autostrada. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjatë 7-mujorit të 2021-shit u importuan afërsisht 5 mijë tonë kafe
Artikulli tjetërMeta: Komision hetimor parlamentar për fëmijët azilkërkues