TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po vazhdon angazhimin në operacione nga ajri dhe nga toka për shuarjen e zjarreve në vend.
Sipas një njoftimi për shtyp nga AKMC, vatrat kritike ku ende punohet intensivisht paraqiten në Bashkinë Mirditë, Thirrë, ku tymi i dendur vështirëson ndërhyrjen dhe në Bashkinë Fushë-Arrëz, ana e fshatit Srriqë.
Po ashtu, vatra aktive ka në Bashkinë Kukës, në afërsi të malit të Koritnikut, brenda parkut natyror Korab-Koritnik, si dhe në Bashkinë Himarë, në përroin e Vishnjes, me terren të vështirë.
Në disa vatra të tjera ka përmirësime të dukshme për shkak të punës së vazhdueshme që është bërë.
Në vatrat aktive nuk paraqitet rrezik për banesat dhe forcat e angazhuara nga Mbrojtja Civile dhe Forcat e Armatosura si dhe ato nga ajri po ndjekin situatën dhe po ndërhyjnë intensivisht për eliminimin e tyre.
Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako dhe strukturat përkatëse vazhdojnë ndjekjen e situatës në terren./m.m/j.p/























