REPORTAZH – Shpresat e vakëta për largim rrisin dëshpërimin në aeroportin e Kabulit

KABUL, 20 gusht /ATSH-DPA/ – Kishte një ndjenjë dëshpërimi në rritje sot në aeroportin e Kabulit, ndërsa njerëzit u mblodhën sërish në zonat civile dhe ushtarake të objektit, në një përpjekje për të ikur nga vendi, pas marrjes nën kontroll nga talebanët, para largimit të perëndimorëve.

Ndërkohë, një raport i përpiluar për Organizatën e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se talebanët po kryejnë kërkime të synuara për bashkëpunëtorët e dyshuar të regjimit të mëparshëm, pavarësisht garancive nga grupi radikal islamik se nuk do të hakmerret.

”Mes kaosit dhe konfuzionit, një qytetar gjerman u plagos dje me armë zjarri gjatë rrugës për në aeroport”, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane.

”Civilit iu dha ndihma mjekësore dhe së shpejti do të largohet”, shtoi ai.

”Qindra njerëz janë grumbulluar rreth hyrjes civile në aeroport, të vendosur në një rrethrrotullim të madh, duke u përpjekur të hyjnë në kompleks”, thanë dëshmitarët për DPA-në.

Luftëtarët talebanë qëlluan me armë në ajër dhe goditën qytetarët me kamxhikë për t’i larguar nga zona.

Aeroporti i Kabulit ka një sektor civil dhe një ushtarak. Ndërsa talebanët kontrollojnë dhe bllokojnë hyrjen në aeroportin civil, njerëzit po përpiqen gjithashtu të hyjnë në pjesën ushtarake.

CNN tregoi imazhe të ushtarëve amerikanë që gjuanin me armë në ajër për të zmbrapsur turmat.

Presioni po rritet pjesërisht për shkak të afatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përfunduar tërheqjen e trupave të tyre deri më 31 gusht.

Vendet e tjera, që nxitojnë të evakuojnë qytetarët e tyre pas marrjes së kontrollit nga talebanët, varen nga mbështetja dhe siguria e ofruar nga forcat amerikane.

Ambasada gjermane tha se situata në aeroportin e Kabulit ishte jashtëzakonisht konfuze dhe deklaroi se kishte pasur konfrontime të armatosura të përsëritura.

Sidoqoftë, qasja në aeroport është ende e mundur për shkak të presionit të turmave.

Mijëra qytetarë janë përpjekur të largohen nga Afganistani, që kur talebanët morën pushtetin, nga frika e akteve ndëshkimore nga grupi militant islamik.

Me pezullimin e udhëtimeve komerciale ajrore, shpresa e vetme për shumë njerëz është të arrijnë në fluturimet e evakuimit të të huajve.

Më parë, autoriteti më i lartë sportiv i Afganistanit konfirmoi vdekjen e një futbollisti të ri, i cili ra nga një avion amerikan në përpjekje për të shpëtuar.

”Zaki Anwari, një lojtar 19-vjeçar në ekipin kombëtar të futbollit të të rinjve të Afganistanit ka humbur jetën në një aksident tragjik”, postoi Drejtoria e Përgjithshme afgane e Edukimit Fizik dhe Sporteve në Facebook.

“I ndjeri Anwari ishte në mesin e qindra të rinjve që përpiqeshin të largoheshin nga vendi, ai ra nga një aeroplan ushtarak amerikan dhe humbi jetën”, shtoi autoriteti sportiv.

Një raport i përpiluar për OKB-në ka paralajmëruar se talebanët po kërcënojnë haptazi anëtarët e familjes me hakmarrje, ndërsa kërkon bashkëpunëtorë të dyshuar me regjimin e mëparshëm.

“Veçanërisht në rrezik janë individët në pozicionet qendrore në njësitë ushtarake, policore dhe hetimore”, thotë raporti konfidencial me katër faqe nga Qendra Norvegjeze për Analizat Globale RHIPTO.

Kreu i grupit të ekspertëve, Christian Nellemann hodhi poshtë garancitë e talebanëve se ata nuk do të hakmerren kundër kundërshtarëve.

“Ata thjesht po përpiqen t’i mbajnë në vend në mënyrë që t’i kapin”, tha ai.

Sipas raportit, talebanët kishin hartuar vendndodhjen e individëve që donin të arrestonin para se të merrnin nën kontroll qytetet kryesore.

”Ata kanë arrestuar ose kërcënuar anëtarët e familjeve të personave që nuk dorëzohen”, shtoi ai duke cituar si dëshmi një letër të talebanëve drejtuar një ish-zyrtari të lartë të sigurisë.

Raporti thotë se fokusi perëndimor në përpjekjet e riatdhesimit po lejon talebanët të synojnë afganët dhe paralajmëron një bllokim të perimetrit të jashtëm të Kabulit në ditët në vijim.

Ai citon mundësinë e ekzekutimeve publike si skenarin më të keq si dhe një shënjestrim të mundshëm të perëndimorëve kritikë ndaj talebanëve.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Joe Biden të punojnë së bashku për situatën në Afganistan.

”Perëndimi nuk mund t’i braktisë afganët që kanë nevojë për mbrojtje”, tha Macron.

”Facebook, ndërkaq, ndërmori hapa për të mbrojtur llogaritë në Afganistan duke hequr përkohësisht aftësinë për të parë dhe kërkuar listat e miqve të përdoruesve si dhe duke e bërë më të lehtë për përdoruesit të bllokojnë llogarinë e tyre”, njoftoi në Twitter shefi i politikës së sigurisë të Facebook-ut, Nathaniel Gleicher./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.