TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Për herë të parë është zhvilluar strategji e posaçme për të miturit nga Ministria e Drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh sot në një reagim se, Reforma në Drejtësi solli zhvillim të rëndësishëm në drejtësinë miqësore për të miturit, të udhëhequr nga primi i interesit më të lartë të fëmijës.
Në kuadër të Strategjisë së Drejtësisë për të Mitur 2018-2021, pati zhvillim rrënjësor në trajtimin e fëmijëve brenda Kodit të Drejtësisë Penale.
Kodi nuk e trajton fëmijën si të rriturit, por i jep trajtim dhe mbrojtje të veçantë.
Rregullohet për herë të parë në një ligj mënyra se si organet e drejtësisë duhet të sillen apo të trajtojnë të miturin viktimë apo dëshmitar të veprës penale.
Garanton që të gjithë vendimet dhe veprimet e ndërmarra ndaj të miturit të kryen në mënyrë të shpejtë, me përparësi dhe pa vonesa të pajustifikuara.
Synon të përshtatë sistemin e drejtësisë penale sipas moshës dhe nevojave të fëmijës për t’i ofruar qasje në drejtësi e mjete juridike. Siguron praninë e detyrueshme të psikologut dhe ofrimin e ndihmës juridike dhe psikologjike falas.
Sanksionon se kufizimi ose heqja e lirisë së të miturit jepet vetëm si masë e fundit dhe për një kohë sa më të shkurtër të mundshme.
Sa i përket infrastrukturës së përshtatur për fëmijët, u ngrit Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, Institucioni i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve.
U ngrit sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili ndjek rastet që nga kontakti i parë i të miturit me Policinë e deri në hallkën e fundit të procesit www.drejtesipertemitur.gov.al
U shndërrua Instituti i të Miturve në Kavajë në Institutin Multidisiplinar për Rehabilitimin e të Miturve.
U krijuan mbi 40 mjedise miqësore për të mitur në Polici, Prokurori e Gjykata.
/a.a/r.e/























