Rregullore për funksionimin e tregut të peshkut në Shëngjin

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) miratoi rregulloren për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të tregut të Shëngjinit për shitjen me shumicë dhe tregtimin e produkteve peshkore.

Rregullorja është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Për menaxhimin e tregut të Shëngjinit do të krijohet Komiteti Këshillimor i tregut të shitjes me shumicë me mandat trevjeçar. Anëtarët e Komitetit kanë të drejtë të rizgjidhen.

Komiteti Këshillimor i Tregut të Shëngjinit drejtohet nga titullari i Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës ose një përfaqësues i autorizuar, i cili luan rolin e kryetarit.
Në mbledhjet e Komitetit Këshillimor mund të marrin pjesë, pa të drejtë vote, ekspertë për çështjet që do të shqyrtohen ose përfaqësues të grupeve të tjera të interesit.

Sipas rregullores, në treg grumbullohen të dhëna për sasitë dhe çmimet e shitjes së produkteve të kontraktuara. Ndërsa tarifat e shërbimit përllogariten nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, duke marrë mendimin edhe të Komitetit Këshillimor dhe i propozohen për miratim ministrit përgjegjës për peshkimin.

Tarifat kanë për qëllim mbulimin e shërbimeve që ofrohen në treg dhe përbëhen nga tarifa për përdorimin e mjediseve të përbashkëta, pajisjeve të tregut, pastrimit, akullit, tarifa për shërbimin e ankandit, tarifa për shërbimin veterinar dhe tarifa për shërbimin e ngarkim shkarkimit.

Tarifat përllogariten mbi bazën e numrit të arkave të kaluara në treg dhe paguhen në momentin e daljes së mallit.

Rregullorja përcakton po ashtu se magazinat dhe dhomat frigoriferike, që janë pjesë e tregut të Shëngjinit, i jepen me qira operatorëve të interesuar.

Referuar regullores, në tregun e Shëngjinit zbatohet plani i autokontrollit të bazuar mbi HACCP-në (Hazard Analysis and Critical Control Points), me qëllim që të garantojë sigurinë ushqimore të produkteve të peshkimit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.