“Gërdeci”, GJKKO rrëzon kërkesën e SPAK për gjykimin e Fatmir Mediut

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) vendosi sot rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për gjykimin e Fatmir Mediut për çështjen e Gërdecit.

Gjyqtari i GJKKO, Erjon Çela vendosi sot rrëzimin e kërkesës së SPAK për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr. 6, dt. 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Në vendimin e arsyetuar të GJKKO thuhet se “Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në të dy vendimet e tij ka theksuar se të drejtën për të kërkuar autorizimin për procedim sipas ligjit e ka vetëm prokurori, nga tërësia e akteve procedurale dhe e provave që ndodhen në dosjen gjyqësore konstatohet se që prej datës 14.09.2009 (data e shpalljes së vendimit të pushimit nga Gjykata e Lartë) e në vazhdim, organi i akuzës nuk i kërkoi përsëri Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj ish-deputetit Fatmir Mediu, mungesa e të cilit nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal.

Gjithashtu, thekson GJKKO, “Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012  e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K. Pr. Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”.

“Në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndekjen penale për një periudhë mbi dhjetë vjet edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, Gjykata çmon se ajo nuk mund të ushtrohet më tashmë bazuar në nenin 66 gërma “b” të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 gërma “d” të K.Pr.Penale”, thuhet në vendimin e GJKKO.

“Për këto arsye, Gjykata bazuar në nenin 112 dhe 329/c të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga Prokuroria, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit”, thuhet në vendim.

VENDIMI I PLOTË I GJYKATËS

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.