Gjonaj për marrëveshjen e nënshkruar në Londër: Hap përpara në fushën e bashkëpunimit gjyqësor

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cilësoi marrëveshjen e nënshkruar dje me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut mbi transferimin e personave të dënuar një hap cilësor përpara në fushën e bashkëpunimit gjyqësor.

Marrëveshja e re sjell më pranë të dy sistemet ligjore duke synuar përshpejtimin, thjeshtëzimin dhe përmirësimin e kushteve dhe rregullave për transferimin e personave të dënuar, edhe në funksion të lehtësimit të riintegrimit social të tyre.

Marrëveshja ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e të drejtës penale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut si dhe çuarjen më tej të qëllimeve të drejtësisë dhe rehabilitimin shoqëror të personave të dënuar.

Aktualisht, marrëdhëniet e bashkëpunimit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, sa i takon transferimit të personave të dënuar rregullohen me marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar, e cila është ratifikuar nga Kuvendi në vitin 2013.

“Akti që formalizuam do të zëvendësojë marrëveshjen aktuale për transferimin e personave të dënuar, ratifikuar me ligjin nr. 98/2013 pasi korniza ligjore e deritanishme ka hasur problematika në zbatueshmëri për kuptimin dhe interpretimin si pasojë e dy sistemeve të ndryshme të drejtësisë”, – tha Gjonaj.

Palët kanë lehtësuar zbatimin e marrëveshjes duke përmirësuar dispozitat që lidhen me dokumentacionin e nevojshëm për transferimin e të dënuarve, janë përmirësuar parashikimet që lidhen me vazhdimin e ekzekutimit të dënimit nga shteti marrës, duke parashikuar se shteti marrës përshtat dënimin sipas përcaktimeve që gjenden në këtë projektmarrëveshje.

Ministrja Gjonaj, gjatë vizitës së saj është takuar me ministrin Philp, që gjatë diskutimeve vuri në dukje që për Republikën e Shqipërisë është me rëndësi rehabilitimi dhe riintegrimi i të gjithë shtetasve shqiptar, pavarësisht vendit të kryerjes së veprës penale.

Për këtë qëllim, kjo marrëveshje është një instrument i mirë që i garanton shtetasve shqiptar, mundësinë për të kërkuar transferimin e dënimit në Republikën e Shqipërisë, që do të lejonte pasjen e kontakteve më të shpeshta me familjarët e tyre, dhe rrjedhimisht ndihmon në riintegrimin më të shpejtë të tyre ne vendin e origjinës.

Nga ana tjetër, ministrja Gjonaj vuri në dukje që Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë gjyqësore, që tashmë, po shoqërohet edhe me një reformë të thellë në sistemin penitenciar. Në kuadër të reformës në sistemin penitenciar, përveç përmirësimit të legjislacionit të kësaj fushe, Ministria e Drejtësisë ka si qëllim edhe përmirësimin e kushteve të trajtimit të të dënuarve.

Ministria e Drejtësisë, Gjonaj u takua dhe me ministrin Chalk, me të cilin zhvilloj një bisedë të frytshme mbi sistemin penitenciar.

Gjonaj dhe Chalk, diskutuan mbi mundësinë e mbështetjes nga pala britanike nëpërmjet rikonstruksionit apo ndërtimi të të një burgu të ri mbi projekte konkrete, i cili do të mund të përmirësojë kushtet që vuajnë dënimin të burgosurit shqiptar dhe në uljen e popullimit në burgjet shqiptare.

Ministri Chalk, shprehu vullnetin e fortë politik për mbështetjen e kërkesave të palës shqiptare dhe ndërmori angazhimin për vijimin e diskutimeve të mëtejshme ndërmjet stafeve teknike për modalitetet e këtij bashkëpunimi. Gjithashtu, pala britanike shprehu mbështetjen e fortë për vijimin e bashkëpunimit në fushën e reformës penitenciare nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në burgje si dhe shkëmbimin e të dhënave me autoritetet britanike, për shtetasit shqiptar që janë dënuar me një vendim të formës së prerë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministrja Gjonaj u takua edhe me Ministrin Lord Wolfson, me të cilin u dakordësuan të thellojnë bashkëpunimin ndërgjyqësor dhe të shkëmbejnë dhe bashkëpunojnë në fushën e dixhitalizimit të gjyqësorit.

Ministrja Gjonaj falënderoi të tre ministrat për mbështetjen e deritanishme në reformën e sistemit penitenciar.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.