Brataj për ATSH: Ja cilat janë simptomat e variantit Delta, të pavaksinuarit më të rrezikuar

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot se “pavarësisht se varianti ‘Delta’ është prezent në vend, krahasuar me vendet fqinje, në Shqipëri situata deri në këtë moment paraqitet më optimiste dhe nën kontroll”.

Gjatë një interviste për ATSH, Brataj tha se “ditët e fundit është bërë zyrtar edhe fakti që varianti ‘Delta’ tashmë është prezent edhe në vendin tonë, por nuk është gjë e re pasi nga shenjat dhe rritja e vogël si profesionist isha i bindur që kishte ardhur”.

“Nga ana zyrtare dhe laboratorike deri sa të vërtetohet nuk mund të deklarohet dhe fakti që u deklarua u vërtetua ajo që ne supozuam. Ato kampione u nisën për dyshimin që mund të ishte varianti ‘Delta’. Nëpërmjet tamponit apo PCR-së ISHP nëpërmjet laboratorit të vet është në gjendje të bëjë predominancën nëse është varianti bazë ‘Alfa’ dhe këtë e bëjmë nëpërmjet proteinës S”, shprehet Brataj.

“Këto kampione u dërguan në laboratorin e referencës në Berlin nga të cilat dolën se 21 raste ishin varianti ‘Delta’. Këto kampione i përkasin nga 1 qershori deri më 12 korrik, që do të thotë se ka qarkulluar në atë periudhë. Në 10 bashki, Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kavajë, Gjirokastër, Korçë, Peqin, Mat dhe Vlorë”, bëri të ditur Brataj.

“Në raport me fqinjët Greqia ka pasur një rritje më të madhe të infeksionit, ne jemi në vlera të ulëta, kurse Europa, si Italia, Gjermania, Portugalia etj., ka pasur rritje të rasteve. Sa më shumë të vaksinohemi, aq më pak do të ketë mundësi virusi të pësojë mutacione të tjera dhe aq më tepër do të evitohen format e rënda dhe humbjet e jetës. Do të ketë një rritje dhe sigurisht që pritej të ndodhte, kryesisht te personat e pavaksinuar dhe ata që nuk kanë kaluar sëmundjen janë më në rrezik. Kuptohet që të pavaksinuarit janë moshat e reja, sepse për fat moshat e mëdha i janë përgjigjur kryesisht thirrjes për vaksinim. Vetëm javën e fundit kemi 72 mijë të vaksinuar dhe kjo tregon që po vazhdohet me përmasa të mira dhe sot 1 148 910 vaksinime, që është afërsisht gjysma e popullsisë me një dozë ose 25 % me dy doza”, deklaroi Brataj për ATSH.

Më tej, Brataj tha se “duke iu referuar periudhës që kaloi vendi me pandeminë Covid-19, ekziston gjithsesi shqetësimi se mund të rrezikojmë një situatë të njëjtë me atë të vitit 2020. Fushata e vaksinimit që është ndërmarrë nga qeveria dhe institucionet shëndetësore me qëllimin që të vaksinohet sa më tepër përqindja e popullatës, ka bërë që edhe me daljen e varianteve dhe mutacioneve të reja, situata që do të krijohen nuk do të jenë të ngjashme me ato që përjetuam”.

Ai thekson se “procesi i vaksinimit është hallka e parë që ndikon në bllokimin e sëmundshmërisë. Nuk ka asnjëherë mbrojtje 100 %, 95 % janë vaksinat më të mira. Fakti që nuk kemi forma të rënda apo jetë të humbura është fitorja e vaksinës mbi virusin”.

I pyetur nga ATSH lidhur me simptomat, Brataj tha se “edhe simptomat do të kalohen më shpejt në kohë dhe shenjat janë pak më ndryshe nga varianti i mëparshëm. Njerëzit duhet të mendojnë dhe ta trajtojnë gjithmonë sikur është virusi dhe të ruajnë pjesëtarët e familjes. Interpretimi i simptomatologjisë si rrufë apo rritje e sekrecioneve nga hunda, dhimbje fyti dhe koke, mund të ketë edhe formën intestinale më të theksuar se varianti precedent, shfaqja e të vjellave dhe diarre ta konsiderojmë si ‘Delta’ virus dhe ta trajtojmë si të tillë. Të kërkojmë ndihmën e mjekut të familjes, të numrit 127 dhe t’i trajtojmë me minimumin e ilaçeve. Këto janë armët që ne njohim deri tani, ndaj s’mund t’i abandonojmë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.