ORISTANO – Jugu i Italisë përfshihet nga flakët

ORISTANO, 26 korrik /ATSH-ANSA/ – Zjarret kanë përfshirë jugun e Italisë, ishullin e Sardenjës, Siçilinë dhe Val Pescara-n, në mes të një situate që mund të rëndohet nga temperaturat dhe erërat e mistralit.

Edhe pse situata duket nën kontroll, në Sardenjë janë ende aktive dy vatra gjigante zjarri, që në orët e fundit kanë shkatërruar Montiferru-n, në zonën e Oristano-s, duke arritur edhe Ogliastra-n.

Në vatrën e parë, në Santu Lussurgiu, që u riaktivizua sërish sot, kanë ndërhyrë dy helikopterë nga flota rajonale, dy “Canadair” të flotës kombëtare dhe dy të tjerë nga Greqia.

Vatra e dytë aktive ndodhet në Suni-Bonarcado, ku po veprojnë  për shuarjen e tij dy helikopterë rajonalë, dy “Canadair” nga flota kombëtare dhe dy nga Franca.

Në Erice (Trapani), Siçili, një zjarr i madh po gllabëron gjelbërimin në anën veriore të malit.

Dëmi është i madh.

Flakët, gjithashtu, kanë arritur edhe në bregdet, në zonën e Bonagia-s.

Zjarre të tjera raportohen edhe në malet Sicani dhe në Alcamo.

Një zjarr i madh është ende në zhvillim e sipër në Burgio, në zonën e Agrigento-s, i cili, që prej ditës së djeshme, ka prekur një zonë të gjerë të pyllit të Sicani-t, një mushkëri e gjelbër prej gati 6 000 hektarësh, një nga më të njohurit në Siçili.

Pas një qetësie prej disa ditësh, flakët dhe temperaturat e larta kanë rindezur zjarret në Val Pescara.

Nga dje vonë dhe gjatë gjithë natës, zjarrfikësit punuan për të shuar dy vatra të mëdha zjarri, që u zhvilluan në zonat e Torre de Passeri dhe Pietranico dhe më pas në jug drejt Scafa-s.

Gjithashtu, në veprim për të kufizuar flakët, janë edhe disa ekipe rajonale.

Do të duhen të paktën 15 vjet për të rikthyer pyjet dhe shkurret mesdhetare të shkatërruara nga flakët, që kanë asgjesuar kullota, pemë ulliri, kasolle, hambare me rezerva foragjere dhe automjete bujqësore, por gjithashtu edhe kafshë.

Sipas një monitorimi nga Coldiretti, kjo është një fatkeqësi me dëme të pallogaritshme për bujqësinë, ndërsa mbi 20 mijë hektarë janë përfshirë nga flakët./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.