Ballina Ekonomi

Shiten 4.8 miliardë lekë, obligacione dyvjeçare

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, në ankandin e fundit u shitën abligacione me afat dyvjeçar në vlerën totale prej 4.8 miliardë lekë, me një kupon (interesi) prej 2.08 %, nga 2.58 % që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Sipas BSH-së kërkesat totale në ankand arritën në rreth 5.5 miliardë lekë, nga 6 miliardë lekë që ishte vlera totale e obligacioneve të nxjerra në shitje nga qeveria shqiptare. Në fund, Ministria e Financave pranoi kërkesa për shumën 4.8 miliardë lekë.

Obligacionet, janë letra me vlerë afatgjata, të cilat maturojnë në afat më të gjatë se 1 vit. Kur një investitor blen këto letra me vlerë, ata në fakt i japin kredi shtetit, nga i cili ata  përfitojnë interes periodik (në një apo më shumë data të caktuara përgjatë vitit) në formë të kuponëve të interesit. Ndërsa në datën e maturimit të obligacionit, investitorët marrin shumën e plotë të investuar në fillim.

Letrat me Vlerë të Qeverisë mund të blihen përmes Tregut Primar: Klientët përmes bankave të cilat janë Aktor Primar mund të blejnë letra me vlerë të qeverisë drejtpërdrejt në ankand.

Përmes Tregut Sekondar: Klientët të cilët janë mbajtës të letrave me vlerë të Qeverisë mund t’i tregtojnë ato në mes veti.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIZRAEL – Bennett: Vaksinim ose rikthejmë lockdown-in
Artikulli tjetërOsmani pritet nga Perandori i Japonisë