Ndërkombëtarizimi i rezultateve të Reformës në Drejtësi

TIRANË 21 korrik /ATSH-I.Vata/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se Reforma në Drejtësi ka patur mbështetjen e pakursyer dhe konsistente të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimit Evropian dhe SHBA.

Ajo theksoi se Gjykata e Strasburgut njohu dhe legjitimoi nëpërmjet vendimit të saj procesin e “Vetting”-ut.

“Rezultatet e Reformës në Drejtësi janë njohur tashmë në nivel ndërkombëtar. Në muajin shkurt të këtij viti Gjykata e Strasbourg-ut njohu dhe legjitimoi nëpërmjet vendimit të saj procesin e “Vetting”-ut, duke i dhëntë të drejtë Shqipërisë. Gjithashtu, Komisioni Evropian në Raportin 2020 theksoi se procesi i “Vetting”-ut ka vazhduar të japë rezultate të prekshme dhe përpjekjet kundër korrupsionit po sjellin rezultate”, shprehet Gjonaj.

Duke folur për ndërkombëtarizimin e Reformës në Drejtësi, Gjonaj citoi deklaratën e Komisionit Evropian në 2020-ën: “Progresi i mirë është bërë në kuadër të reformës në drejtësi për plotësimin e konkluzioneve të Këshillit të 25 marsit 2020, pavarësisht pandemisë. Procesi i Vetingut ka vazhduar të japë rezultate të prekshme. Kuadri legjislativ është forcuar më tej për të luftuar korrupsionin në mënyrë efektive. Përpjekjet operacionale kundër korrupsionit po japin rezultat”.

Ndërsa Gjykata Evropiane për të Drejta e Njeriut në Strasburg me vendimin në muajin shkurt 2021, e vënë në lëvizje nga një ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, njohu dhe legjitimoi ligjshmërinë e procesit të Vetingut duke i dhënë të drejtë Shqipërisë mbi të gjithë procesin.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.