Ballina Ekonomi

Rruga Qafë Thorë – Theth rrit aksesin dhe sigurinë për turistët

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Punimet për ndërtimin e rrugës Qafë Thorë- Theth, 16 km e gjatë, që lidh një ndër zonat më të bukura të Alpeve me Bogën dhe Shkodrën po vijojnë me ritme të larta.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto nga kantieri i ndërtimit të kësaj rruge.

“Mirëmëngjes, e pa ndalur puna për akset që të çojnë në destinacione turistike nga veriu në jug. Ky segment të çon në alpet e Shqipërisë. Rruga Qafë Thorë – Theth pritet të rrisë aksesin dhe sigurinë për turistët që i afrohen luginës së Thethit”, u shpreh kryeministri.

Projekti për këtë rrugë është pjesë e investimeve që rrjedhin nga plani sektorial i turizmit për rajonin e Alpeve Shqiptare, që bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve.

Projekti parashikon gjerësi asfalti 4 – 4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës po ndërtohen 3 tunele nga 20 -30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët.

Përveç lehtësimit të qarkullimit edhe gjatë stinës së dimrit kur fshati bllokohet nga dëbora, rruga do të ofrojë siguri më të lartë. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Made in Albania”, mundësi për fuqizimin e biznesit vendas
Artikulli tjetërKana kurorëzon feminizmin dhe rininë