LUBJANË, 6 korrik /ATSH-STA/ – Drejtori i agjencisë sllovene të lajmeve, STA, Bojan Veselinoviç i ka propozuar qeverisë një marrëveshje që do të zgjidhë përkohësisht marrëdhëniet midis STA dhe Zyrës Qeveritare të Komunikimit (UKOM) pasi agjencia ka qenë pa financim publik të shërbimit të saj për mbi gjashtë muaj.
”STA i propozon qeverisë të paguajë 80% të parave që agjencia duhej të merrte deri tani dhe më pas të fillojë transferimin e 80% të fondeve që agjencia ka të drejtë çdo muaj derisa të nënshkruhet një kontratë për financimin”, deklaroi stafi menaxherial i STA.
Ai shtoi se STA nuk kundërshtoi kontrollin e veçantë të operacioneve të agjencisë në 10 vitet e fundit që qeveria kishte urdhëruar të mërkurën e kaluar, por “e gjithë kjo duket si një manovër tjetër e zvarritur”, e cila mund të vonojë pagesën për STA të paktën deri në vjeshtë.
Veselinoviç gjithashtu “fuqimisht hedh poshtë sugjerimin për tarifimin e dyfishtë të shërbimeve të STA”.
“Fakti është se me ofertën tonë të pasur të shërbimeve tregtare ne kemi qenë duke mbuluar kostot e shërbimit tonë publik në të kaluarën, të cilat ishin më të mëdha se fondet që kemi marrë për të. Shteti ka paguar më pak se sa duhej të kishte gjatë gjithë kohës”, tha ai.
“Është detyra ime ligjore si drejtor STA të bëj gjithçka që është e mundur për të mirën e kompanisë që po drejtoj”, tha Veselinoviç.
Qeveria gjithashtu i kërkoi Veselinoviçit të tërhiqte brenda 48 orëve procesin gjyqësor që kërkon pagesa për shërbimin publik nga UKOM në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe të raportojë për këtë në UKOM./























