MINSK, 6 korrik /ATSH-DPA/ – Më shumë se një vit pas arrestimit, ish-bankieri dhe figura e shquar e opozitës bjelloruse, Viktor Babariko u dënua sot me 14 vite burg.
57-vjeçari u pa si kundërshtari më i ashpër i sundimtarit prej një kohe të gjatë, Aleksandër Lukashenko përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.
Babariko u burgos disa javë para zgjedhjeve të gushtit.
Lukashenko u kishte bërë thirrje haptas autoriteteve të ndërmerrnin veprime kundër sfiduesit të tij.
Prokurorët e akuzojnë atë për pastrim parash, zhvatje dhe evazion fiskal.
Babariko mohon akuzat dhe e quan gjyqin e tij, i cili u prit me kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, një përpjekje për ta bërë atë të heshtë.
Zgjedhjet në gusht, parë gjerësisht si të manipuluara për të rizgjedhur Lukashenkon, shkaktuan protesta masive në Bjellorusi, me pjesëmarrjen e qindra mijëra njerëzve.
Dhjetëra mijëra u arrestuan përkohësisht, qindra u plagosën dhe disa u vranë.
Lukashenko përmendet si diktatori i fundit i Europës.
Bashkimi Europian nuk e njeh më atë si udhëheqësin legjitim të vendit. /os/























