Dita e Çlirimit të Kosovës/ Mesazhe urimi nga politika

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta uroi sot Kosovën në Ditën e Çlirimit, duke theksuar se “Dita e Çlirimit të Kosovës, për të cilën çdo qytetar i saj kontribuoi dhe sakrifikoi, na kujton sot se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia”.

Kreu i shtetit shpreh falënderim dhe mirënjohje përjetë për NATO-s, SHBA dhe vendet demokratike mike, të cilat sipas tij “kurorëzuan këtë aspiratë shekullore dhe kontribuojnë sot për të ndihmuar zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

“Sot është dita për të nderuar rezistencën dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë martirët e kombit shqiptar. Kosova, faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon, meriton të jetë anëtare e NATO dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e saj është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë”, tha Meta, teksa ka ndarë edhe një video nga 12 qershori i vitit 1999.

Presidenti Meta u shpreh se “Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj, avancimit të procesit të integrimit euroatlantik dhe në të gjitha sfidat e ardhshme. Për të risjellë sot emocionet e veçanta të 12 qershorit 1999, po ndaj me ju raportimin e gazetarit të njohur, Asllan Bajrami, në këtë ditë të shënuar për kombin tonë. Gëzuar ditën e paqes Kosovë e dashur”.

Ruçi: Kosova dhe UÇK, në anën e drejtë të duhur të historisë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot Ditën e Lirisë së Kosovës ku ka theksuar se, “lufta e popullit kosovar dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe rezultati i saj është Kosova e lirë dhe e pavarur. Kosova dhe Ushtria e saj Çlirimtare ishin në anën e drejtë dhe të duhur të historisë”.

“Sot Kosova kremton Ditën e Lirisë, e cila shënon datën e ndërhyrjes së NATO-s, dislokimin e trupave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, më 12 qershor 1999. Dita e Lirisë është dita të rikujtojmë se vetem vendosmëria e aleatëve të mëdhenj dhe të përhershëm strategjikë të Shqipërisë, ShBA, BE dhe NATO-s, kurorëzoi luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëri të mundur çlirimin e Kosovës”, shprehet Ruçi.

“Dita e Lirisë së Kosovës është dita të rikujtojmë se ashtu si luftën për çlirim dhe pavarësi, edhe përpjekjet për zhvillim e përparim, dialogun me Serbinë dhe ndërtimin e paqes në rajon, Kosova mund, duhet dhe do t’i realizojë me sukses vetën në partneritet të ngushtë dhe duke iu bashkuar vizionit te aleatëve të përhershëm strategjikë të shqiptarëve, ShBA dhe BE-së”, përfundon mesazhin e tij përshëndetës Ruçi.

Basha: 22 vite më parë Kosova shënoi ditën e parë të lirisë, çlirimin e saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi sot Kosovën në ditën e Çlirimit.

“Në këtë ditë krenarie kombëtare, mirënjohja më e thellë shkon për bijtë dhe bijat e Kosovës që dhanë jetën për liri, për lidershipin e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbolit të saj, Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Në këtë rrugëtim plot sakrifica dhe shpresë drejt ëndrrës së çlirimit, shqiptarët do t’u jenë përjetë mirënjohës aleatëve tanë strategjikë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, e të gjithë partnerëve”, theksoi Basha.

Kreu i PD-së tha se, “liria dhe shteti i Kosovës janë kontribut i përbashkët i shqiptarëve dhe partnerëve të saj. E ardhmja e Kosovës, si një shtet i fortë, demokratik, anëtar i NATO-s dhe BE-së, do ndërtohet bashkërisht me partnerët dhe aleatët tanë”. /k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.