30-vjetori i PS-së/ Drejtues të lartë urojnë socialistët

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Partia Socialiste feston sot 30-vjetorin e krijimit. Drejtues të lartë të PS-së uruan sot socialistët për këtë përvjetor të partisë, e cila ka marrë mandatin e tretë qeverisës pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Balla: Forca kryesore politike në vend, gjithmonë në kahun e duhur të historisë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla uroi sot ditëlindjen e 30-të të Partisë Socialiste.

“Gëzuar ditëlindjen e 30-të të Partisë Socialiste, forca kryesore politike në vend, që spikat në përpjekjet e saj për integrim europian, për të ndërtuar dhe forcuar shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, mbi parimet e solidaritetit social”, – tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar shprehu mirënjohjen për të gjithë themeluesit kurajozë, të cilët sipas tij, “më 12 Qershor 1991 i dhanë Shqipërisë një forcë politike, e cila në këto 30 vite ka qenë gjithmonë në kahun e duhur të historisë”.

“Mirënjohje të gjithë anëtarësisë, patronazhistëve, mbështetësve tanë për kontributin e pazëvendësueshëm në çdo fitore tonën elektorale”, – tha Balla.

Balla e ka shoqëruar postimin e tij edhe me një video, ku shfaqen momentet më të rëndësishme të Partisë Socialiste që nga themelimi i saj.

Veliaj: Forca më energjike në Shqipëri që sjell ndryshim sa herë drejton vendin

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj uroi sot ditëlindjen e 30-të të Partisë Socialiste.

Veliaj thekson se PS është forca më energjike në Shqipëri, që sjell ndryshim sa herë drejton vendin.

“Gëzuar ditëlindjen Partia Socialiste, forca më energjike në Shqipëri , që sjell ndryshim sa herë drejton vendin”, shprehet Veliaj.

Gjiknuri: PS mbetet forca më demokratike dhe transformuese në Shqipëri

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri uroi sot anëtarët dhe simpatizantët e PS-së.

Gjiknuri tha se PS mbetet forca më demokratike dhe transformuese në Shqipëri.

“Urim i përzemërt për çdo anëtar, simpatizant dhe mbështetës të Partisë Socialiste. Besimi i dhënë në shumicë nga qytetarët në 25 Prill për një mandat të tretë qeverisës është tjetër dëshmi se familja jonë politike mbetet forca më demokratike dhe transformuese në Shqipëri. Gëzuar”, – tha Gjiknuri.

Spiropali: PS ka farkëtuar tashmë identitetin e saj europian dhe progresist

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka uruar sot ditëlindjen e 30-të të PS ku thekson se kjo forcë politike gjatë këtyre viteve ka ndarë historinë dhe fatin me Shqipërinë.

“Partia Socialiste e Shqipërisë në 30 vjet ka ndarë historinë dhe fatin me Shqipërinë. Të dyja dalë nga errësira komuniste e fillimviteve ’90 të çorientuara në kërkim të dritës, të ndërgjegjes, dhe të vërtetës”, shprehet ajo.

“Partia Socialiste ashtu si Shqipëria e tranzicionit nuk e ka patur të lehtë. Mungesa e informacionit, dijeve, trashëgimisë pluraliste, prezenca e pandarë e sherrnajës politike dhe papjekurisë demokratike kanë qenë shoqëruese në këto 30 vite, por kurrë nuk e kanë nxjerrë Partinë Socialiste nga binarët institucionalë dhe shinat e interesit kombëtar.

Partia Socialiste ka farkëtuar tashmë identitetin e saj europian dhe progresist. Ne po ndërtojmë Shqipërinë e të gjithëve, me shtet funksional, institucione të qëndrueshme, drejtësi, punë dhe të ardhme për brezat”, vijoi Spiropali.

“Ne punojmë për Shqipërinë e besimit, respektit dhe mundësisë për çdo njeri. Ne besojmë të Shqipëria e punës, e shpërblimit të drejtë dhe taksimit të ndershëm sipas punës.

Ne duhet të luftojmë që askush në Shqipëri të mos dështojë për shkak të gjinisë, shtresës shoqërore, prejardhjes, përkatësisë fetare, etnike, politike”, tha Spiropali.

Spiropali thekson se, “ne jemi forca politike udhëheqëse e Shqipërisë. Kemi fituar një mandat të tretë historik me Edi Ramën kryetar dhe Kryeministër. Për të ndërtuar Shqipërinë post-tranzicion. Infrastrukturën moderne. Sistem arsimor që sjell zhvillim. Bujqësi që eksporton. Turizëm të qëndrueshëm. Prodhim vendas. Shërbime të shpejta pa zvarritje dhe ryshfet. Administratë publike meritokratike që përballon betejën e negociatave për standardet e integrimit në BE. Ne duhet ta fitojmë betejën për Shqipërinë. Kjo është dekada jonë për Shqipërinë e të gjithëve”. /k.s/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.