TIRANË, 20 maj /ATSH/ Stërvitja “Defender Europe 2021”, që po zhvillohet prej 4 majit në vendin tonë, është më e madhja në 3 dekadat e fundit.
Me anë të kësaj stërvitje po demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga kjo stërvitje, që po zhvillohet njëkohësisht në 7 baza të ndryshme në të gjithë vendin.
“Defender Europe 21”. Disa momente nga stërvitja më e madhe ushtarake në 3 dekadat e fundit në rajon, që po zhvillohet në disa baza të ndryshme në të gjithë Shqipërinë”, – tha Rama.
Stërvitja po kryhet në bazat ushtarake të Bizës, Kuçovës, Pashaliman, Farkë, Rinas, Durrës dhe Zall-Herr.
Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj.
/k.s/j.p/r.e/






















