TIRANË, 18 maj /ATSH/ Pas hapjes së ekonomisë, kredia konsumatore po i kthehet ritmeve të rritjes.
Për herë të parë pas gjashtë tremujorësh radhazi në rënie, balanca e kërkesës për kredi konsumatore u rrit në tremujorin e parë të këtij viti.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, standardet e kreditimit janë raportuar gjithashtu me lehtësim për tre tremujorë radhazi. Kredia konsumatore përbën më pak se 30 % të kredisë së dhënë për individë.
Ky portofol dominohet kryesisht nga kredia në lekë, çka reflekton rritjen më të lartë të kredisë konsumatore në monedhë vendase, në përputhje me nevojat e përditshme për konsum.
Normat e interesit për kreditë në lekë për individët mbeten në nivele të ulëta, si ato për financimin e konsumit, ashtu edhe ato për kreditë hipotekare.
Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë për individët rezultoi 6.5 % në tremujorin e parë të vitit, duke u rritur lehtë nga niveli mesatar prej 6.3 % që ishte në dy tremujorët e mëparshëm. Në këtë horizont kohor, interesi i kredive konsumatore mbeti thuajse i pandryshuar, në 8.4 %. /j.p/r.e/























