COVID-19 – Londra optimiste për efikasitetin e vaksinave kundër variantit indian

LONDËR, 16 maj /ATSH-AFP/ – Qeveria britanike u shpreh sot optimiste për efikasitetin e vaksinave antiCOVID-19 kundër variantit indian, rritja e të cilit në Britaninë e Madhe ka shtuar shqetësimet para një etape të re të lehtësimit të masave.

Numri i rasteve që i atribuohen variantit indian në vend është dyfishuar në një javë, duke u rritur në 1 313 këtë javë, sipas autoriteteve shëndetësore.

Ato janë përqendruar kryesisht në veri-perëndim dhe në Londër.

“Nëse njerëzit janë vaksinuar dy herë (…) ne kemi siguri në rritje, bazuar në të dhënat e hershme laboratorike (…), se vaksinat janë efektive kundër variantit indian”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, për BBC.

Për të ndaluar përhapjen e variantit B1.617.2, i cili mund të bëhet “dominues” sipas autoriteteve shëndetësore, intervali midis dy dozave të vaksinës (deri në tre muaj) zvogëlohet në tetë javë për njerëzit mbi 50 vjeç dhe më të prekshmit, ndërsa depistimi është rritur në zonat e prekura./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.