Mblidhet Kryesia e PD/Kadilli: Do kërkoj dorëheqjen e parevokueshme të Bashës

TIRANË, 16 maj /ATSH – I. Vata- Partia Demokratike ka mbledhur Kryesinë, ndërsa në orën 19:00 pritet të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar.

Në një prononcim për mediat para selisë së PD-së, anëtari i Kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli, deklaroi se “do të kërkoj dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe se nuk do të heqë dorë nga kandidimi për kryetar partie”.

“Jam sot për t’i kërkuar dorëheqjen Bashës, dorëheqje të parevokueshme sepse nuk është zgjidhje, por problemi i PD. Sot mbyllet një periudhë zhgënjyese për PD dhe sot nis një periudhë shprese”, tha Kadilli.

“I inkurajuar nga mbështetja e demokratëve, jam edhe më i vendosur për ta çuar përpara këtë projekt shprese, këtë projekt që do një Parti Demokratike të pastër, të madhe të hapur dhe fituese”, tha ai.

Kadilli tha se “nuk tërhiqem nga asnjë proces politik,  jam këtu për t’i shërbyer PD-së”.

“Sipërmarrja nuk është e lehtë, por e vështirë, por inkurajimi i demokratëve dhe nevoja që ka çdo demokrat për ta ngritur kokën lart me një projekt shprese, më bën edhe më të vendosur që edhe përballë Lulzim Bashës apo kujtdo tjetër të jem në garë për të ndërtuar një PD të re. Të pastër, të hapur të bashkuar dhe fituese”, u shpreh Kadilli”,- tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.