Ballina Flash

“Defender Europe 21″/ Më shumë ushtarë amerikanë po mbërrijnë në Shqipëri për stërvitjen më të madhe ushtarake

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Më shumë ushtarë amerikanë po mbërrijnë në Shqipëri këtë javë për nisjen e stërvitjes “Defender Europe 21”, stërvitjes më të madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor që përfshin 26 vende pjesëmarrëse.
Ambasada e SHBA-së shprehet se “gjatë stërvitjes ushtarët do trajnohen së bashku në të gjithë Shqipërinë dhe Europën për të kryer operacione të ndryshme, duke filluar nga luftimet e simuluara e deri te ndihma humanitare”.
“Ky ushtrim do ndihmojë forcat e SHBA, të Shqipërisë dhe të tjerat për të shfaqur aftësitë e tyre për të parandaluar konfliktet dhe për të mbajtur kombet tona të sigurta”, thekson Ambasada.

Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj./k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFitore historike e PS në njësinë 7/ Veliaj: Fitorja e Gjonajt, fitore e Reformës në Drejtësi
Artikulli tjetërDASH: Mirëpresim përparimin e bërë nga Shqipëria në reformat kritike, mbështesim hapjen e negociatave në qershor