Ballina Flash

Veliaj: PS, superfitore edhe në Dajt, kemi siguruar 52 % të votave

TIRANË, 26 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i qarkut Tiranë, Erion Veliaj, duke falënderuar skuadrën e PS për fitoren në njësinë 10 tha sot se “gjatë gjithë ditës sot do të kemi rezultate të ngjashme, po përgatitemi për fitoren në të 42 njësitë e Tiranës”.

Në një konferencë për shtyp, Veliaj theksoi se “dua të falënderoj të gjithë ata që punuan fort në këtë që është sot rezultati i parë zyrtar, fitorja jonë në njësinë nr. 10, në zemër e Tiranës, më skuadrën tonë fantastike, djemve dhe vajzave të mrekullueshëm që janë dedikuar pafund”.

“Ai është ende duke ndjekur procese zgjedhore edhe në njësi të tjera dhe për garën që është brenda Partisë Socialiste për të thyer herësin e për të punuar në gjithë territorin, por një falënderim i veçantë për Fatmir Xhafajn e gjithë frymëzimit që ai i dha kësaj skuadre të mrekullueshme dhe punës plot dedikim”, – tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se, “dua që të ndaj disa konkluzione. Së pari, kemi pasur një natë të gjatë të gjithë dhe dua të falënderoj të gjithë kolegët e medies për gjithë shërbimin që kanë ofruar, për informacionin që kanë dhënë dhe për gjithë angazhimin e jashtëzakonshëm. Ne gjatë gjithë ditës sot do të kemi rezultate të ngjashme, po përgatitemi për fitoren në të 42 njësitë e Tiranës dhe duke pasur parasysh që ka qenë një natë e gjatë do doja që t’i ftoja të gjithë ata që janë përfshirë në procesin e numërimit që t’i shkojmë kësaj pune deri në fund”.

“Unë e ndaj bashkë me kolegët e opozitës mendimin që ne kishim zgjedhje të shkëlqyera dje, e ndajmë me ta mendimin që ne duhet të pranojmë rezultatin, që s’ka kohë për pushim, përfshirë dhe numëruesit. Dua të shpreh angazhimin e PS dhe të kryetarit tonë Edi Rama që të gjithë numëruesit tanë do të bëjnë maksimumin për të punuar me orë të zgjatura, dhe do doja kërkoja të njëjtën kortezi edhe për numëruesit e palës tjetër duke menduar që sa më shpejt të mbyllet ky proces dhe sa më korrekt të jetë përfundimi i numërimit, aq më shpejt i përveshim mëngët dhe i kthemi punëve të mira për qytetin tonë dhe për Shqipërinë tonë”, – nënvizoi Veliaj.

Veliaj tha se “për të gjithë ata që votuan pasivisht dhe që na dhanë një fitore të jashtëzakonshme në njësinë 10, që është një nga njësitë më të balancuara në histori, ka shkuar një herë majtas, një herë djathtas, për të gjithë ata që na votuan, unë ju falënderoj nga zemra që zgjodhët të na jepnit një mandat të fortë për njësinë 10 dhe një barometër për gjithë pjesën tjetër të Tiranës”.

“Për ata që që nuk na votuan, u them që do t’ju shërbejmë me përulësi, do t’ju shërbejmë njësoj, me respekt dhe do jemi aty për çdo nevojë të komunitetit, pavarësisht bindjeve dhe votës suaj. Jemi këtu që të administrojmë këtë fitore me përulësi, ndaj dhe do të doja që duke filluar nga sot, duke qenë se jeni skuadra e parë që e mbyll procesin me një sukses të jashtëzakonshëm, duke filluar nga ata që shërbejnë në njësinë tonë vendore, tek secili prej nesh, ka ardhur koha që t’i shtrijmë dorën atyre që kemi përballë. Ata nuk janë armiqtë tanë, ata thjesht janë shqiptarë të tjerë që kanë pasur një bindje ndryshe nga e jona, për mënyrën se si mund të ecnim përpara”, theksoi ai.

Drejtuesi politik i qarkut Tiranë Veliaj tha se “fitoi bindja jonë, ndaj ky është momenti, koha që t’i përqafojmë, që t’u shtrijmë dorën, që t’u themi ka më shumë gjëra që na bashkojnë se ato që na ndajnë dhe nuk rëndësi nëse janë demokratë apo socialistë. Ne të gjithë jemi një, ndaj edhe mezi pres që mbyllja e kësaj fushate, për të pasur votat dhe për të pasur mandatin për të qeverisur, do të doja që të fillonim një tjetër fushatë, një fushatë vëllazërie, përqafimesh, një fushatë bashkëpunimi me shqiptarët e tjerë, që ndoshta mendojnë ndryshe nga ne por kanë të njëjtat ambicie dhe ëndrra për qytetin tonë”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVdes mexosopranoja me famë botërore Christa Ludwig
Artikulli tjetërTabaku: Kemi thyer një bastion të majtë për herë të parë pas 12 vitesh, PD dhe LSI 400 vota përpara