Spitali Memorial i Fierit, gati/ Manastirliu tregon organizimin e brendshëm: Pol i ri i shërbimeve terciare

TIRANË, 21 prill/ATSH/  Spitali i ri rajonal i Fierit do të shërbejë si një pol i ri shërbimi terciar për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Kështu deklaroi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, teksa ka prezantuar nga brenda spitalin e ri, që do të rrisë aksesin në shërbimet spitalore.

“Ky është një spital, i cili u premtua, nga qeveria e Republikës së Turqisë , nga Presidenti Erdogan në janar të këtij viti, ku dukej jo për shkak të premtimit, por për shkak të kohës së shpejtë për tu ndërtuar ky spital si një vepër e paimagjinueshme, e parealizueshme”, – tha Manastirliu.

“Dhe ja ku jemi sot në një spital jo vetëm të ndërtuar, por të pajisur që do të shërbejë për të gjithë rajonin e  jugut, qarkun e Fierit, Gjirokastrës, të Vlorës, sigurisht do të shërbejë si një pol i ri shërbimi terciar për të gjithë qytetarët shqiptarë. Sepse nëse ne kemi patur të orientuar të gjithë shërbimet terciare, shërbimet e superspecializuara në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tashmë ky spital, që është një spital i ri, por që brenda tij ka planifikuar të ketë gjithë ato shërbime të specializuara të cilat, tashmë do të jenë edhe në këtë strukturë spitalore, ashtu siç janë në QSUT, do të rrisë aksesin për shërbime spitalore, do të mundësojë rritjen e kapaciteteve spitalore, pasi është një strukturë me 150 shtretër dhe janë dhoma teke.

“Pra një spital që do të plotësojë nevojat e rajonit jugor të Shqipërisë, por edhe do të kombinojë shërbimet edhe për të lehtësuar, për të krijuar askes më të shpejtë për shërbimet që janë të planifikuara dhe këtu prapë mund të krijohet shpejtësi në shërbime, por mbi të gjitha në shërbimet e specializuara”, – tha Manastirliu.

Më tej Manastirliu tha se “ky spital u ndërtua në një kohë shumë të  shpejtë, me cilësi dhe standard nga më të mirat dhe jemi krenarë që u arrit në një kohë shumë të shpejtë falë bujarisë së Turqisë mike dhe kompanisë që punoi në një kohë shumë të shpejtë dhe realizoi që të kishim një spital jo vetëm nga pikëpamja infrastrukturore të kishte të gjitha standardet, por edhe nga pikëpamja mjekësore”.

“Tashmë kanë ardhur aparatura, të cilat janë instaluar dhe janë gati që të ky spital të futet në operacion. Ky spital nuk ka vetëm shërbimet e planifikuara,por edhe shërbime urgjence. Ka një strukturë të dedikuar të urgjencës”, shtoi ajo.

Lidhur me aplikimet dhe përzgjedhjen e stafit mjekësor, Manastirliu tha se “ka qenë një proces transparent dhe do të jetë meritokratik deri në fund për të gjithë ata që kanë aplikuar dhe janë 700 punonjës, personel, aplikues, të cilët tashmë janë në fazën e përzgjedhje. Në fazën e parë kemi filluar përzgjedhjen e stafit mjekësor dhe infermieror dhe më pas do të kalojmë në përzgjedhjen e stafit administrativ. Janë në tërësi 398 punonjës në këtë spital dhe 56 prej tyre janë planifikuar që të vijnë nga sistemi shëndetësor turk, qofshin këta profesorë të shërbimeve të ndryshme dhe gjithashtu dhe stafi drejtues administrative”.

Por, vijoi ministrja, risia në këtë mënyrë të re menaxhimi do të jetë një menaxhim në bashkëpunim me kolegët turk, do të jetë një administrim shqiptaro-turk.

Sa i përket pajisjes me aparatura, ministrja Manastirliu u shpreh se “këtu jemi në një nga dhomat e urgjencës, që është një nga shërbimet kryesore të spitalit, pasi do të ofrohet urgjenca e sëmundjeve të brendshme dhe kirurgjikale”.

“Në zonën e urgjencës ndodhet zona e Triazhimit, ku priten urgjencat, janë dhomat e observimit te urgjencës, janë të organizuara në mënyrë të tillë që krijojnë mundësinë të gjithë personelit shëndetësor të kenë një pamje të qartë të observimit të të gjithë pacientëve., janë 6 shtretër”, – shtoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se spitali ka tre blloqe, A, B, C. Blloku A ka të gjitha shërbimet e internit, duke përfshirë pavionin e Neurologjisë, Kirurgjisë dhe atë të internit. Sa i përket kirurgjisë kemi kirurgjinë e përgjithshme, atë specialistike neurokirurgjia,  ortopedia dhe trauma. Kemi një seri subspecialitetesh, të cilat janë të vendosura në këtë spital”.

Sipas saj, spitali Memorial Rajonal Fier do të jetë spitali parë ku do të zbatohet autonomia spitalore.

“Ky spital do të ketë apo do të materializojë vizionin tonë për gjithë sistemin e menaxhimit spitalor që është pikërisht autonomia spitalore. Ne jemi duke u përgatitur për gjithë ndryshimet e nevojshme për përfitimin e kartës së autonomisë spitalore nga spitalet që plotësojnë të gjithë kushtet e infrastrukturës dhe kanë dhe teknologjinë. Dhe ky është spitali ku do të aplikohet për herë të parë ky model”, tha Manastirliu.

Lidhur me bllokun operator Manastirliu tha se “përbëhet nga 6 salla të pajisura me teknologjinë më të mirë të sallave. Kirurgjia do të zë nëj ëvend shumë të rëndësishëm në spital, sepse do të jetë një shërbim që od të ofrojë jo vetëm kirurgjinë e përgjithshme, por edhe kirurgjinë specialistike duke filluar nga Neurokirurgjia dhe kemi vetëm në spitalet tona publike një shërbim neurokirurgjie që është në QSUT”.

Duke folur për reanimacionin, Manastirliu tha se “ky është blloku i rëndësishëm i këtij spitali, që është terapia intensive, e cila ka 20 shtretër ku i gjithë sistemi operon në një mënyrë shumë të specializuar sepse ka dy zona observimi, zona e parë me 10 shtretër, kemi një reanimacion të centralizuar apo një reanimacion qendror, i cili ka ndarjet e veçanta, në mënyrë që çfarëdo problematike të ketë të jetë e kontrolluar”.

“Zemra e spitalit është radiologjia ku janë të instaluara të gjitha pajisjet që nga ato të nivelit bazik që është EKO, që janë të nëj cilësie shumë të lartë, 4 ekografi, do i shërbejnë edhe pacientëve që vijën për vizita ambulatore, por edhe atyre që janë të shtruara në spital. Kemi edhe skanerin si dhe rezonancën. Pra kemi një përmbyllje të gjithë gamës së imazherisë brenda këtij spitali që lehtëson shumë edhe listën e pritjes sa i përket ekzaminimeve përmes rezonancës”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “është padyshim një ndër spitalet me nivelin më të lartë të teknologjisë. Jo vetëm se është teknologji e re, por edhe se transferimi i dijeve që do të bëhet nëpërmjet stafeve që po vijnë dhe kanë ardhur. Sepse dhe ekspertët që janë duke punuar janë të strukturave të shëndetësisë të Republikës së Turqisë. Do të krijojnë pikërisht atë urën e bashkëpunimit të mirë”.

Ministrja bëri të ditur se në këtë spital ndodhet edhe dhoma e Litrotipsisë. Në sistemin tonë shëndetësor publik vetëm në QSUT kemi një pajisje të tillë tani që bëhen dy krijohet një mundësi me një gamë më të madhe shërbimesh dhe me shpejtësi të madhe”, – tha Manastirliu.

“Në katin e dytë të spitalit të Fierit ndodhen gjithë pajisjet teknike, ku koordinohen dhe menaxhohen të gjitha ato sisteme që ne na duken sikur ngjiten në mur. Nuk janë thjesht panele që ngjiten në mur, por kanë një sistem operacional”, tha Manastirliu.

Pjesë e spitali, tha ministrja është edhe farmacia, e cila ka filluar të furnizohet me të gjitha barnat e materiale mjekësore, si dhe frigoriferët për barnat që kërkojnë temperatura të caktuara.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut.
Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.

/k.s/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.