“Nëse Shkodra do ndryshim, ja ku e ka”! Rama uron ditë të mbarë me fjalimin e kandidates së PS, Edona Bilali


TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me videon e fjalimit të mbajtur dje nga kryesuesja e listës së Partisë Socialiste në Shkodër, Edona Bilali, në përmbyllje të fushatës elektorale në këtë qark.

“Nëse Shkodra do ndryshim, ja ku e ka ndryshimin! Ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Kryesuesja e listës së PS për qarkun e Shkodrës, Edona Bilali në fjalën e saj tha se, “kam besim të plotë se nëse dikush bën diçka për Shkodrën dhe e kthen siç ka qenë ka vetëm një njeri, Kryeministri Edi Rama”.

“Do t’iu duket zi sot, por çfarëdo që ne të kishim transmetuar sot, një pjese zi do t’u dukej, sepse zi e shohin politikën. Unë sot kam ardhur për të folur me to dhe kam një mesazh për të gjithë ata që e shohin zi politikën. Kam ardhur t’u tregoj sot se politika nuk është zi, kur Kryeministri më ftoi për të kryesuar listën u ndodha në një udhëkryq, sepse vetë isha si një prej tyre, ankohesha pafund edhe për qeverinë Rama dhe për të gjithë politikën në tërësi”, – tha Bilali.

Por, vijoi ajo,  në atë moment kisha dy zgjedhje, ose të vazhdoja duke ankuar e të mos bëja asgjë, ose të vihem në dispozicion dhe të bëj ndryshim.

“Zgjodha të bëj këtë të dytën të vihem në dispozicion për qytetin tim të zemrës, Shkodrën. Por e di shumë mirë që unë vetëm nuk mund t’ia dal. E di shumë mirë që as Kryeministri vetëm nuk mund t’ia dal. Ne mund t’ia dalim vetëm në një formë nëse bëhemi të gjithë bashkë për Shkodrën, të gjithë bashkë për gjithë Shqipërinë. Më pyesnin njerëzit a je ti, sepse e dinin që Edona nuk kishte lidhje, isha shumë mirë dhe rehat në profesionin tim. Telefonatat e njerëzve më të afërt më pyetën Edona ç’pate? Dhe është e vërtetë në fakt, isha rehat për veten, por a jam unë rehat kur qyteti që dua me zemër dhe me shpirt është siç është sot I mbuluar nga një re gri, si elektorati që e shikon veten gri, mbi politikën. E vetmja gjë që ka filluar me e zbardh pak Shkodrën është Shiroka, që edhe për të dëgjova komente. Ajo Shirokë që është rrezja e shpresës që ka hapur retë e Shkodrës, që është nominuar për çmimin më prestigjioz të arkitekturës në Europë, siç ka fituar edhe Lungomare në Vlorë, siç ka fituar edhe sheshi “Skënderbej”. Kush i bëri këto”.

“Unë e di që në nuk do të jem një deputete që premton vende pune që 5 familje të ma dinë për nder për 4 vjet. Këtë nuk do ta bëj, ajo që do të bëj është se do të trokas derë më derë,  në Austri , Itali ku të mundem që të bie kompani të huaja në Shkodër, që ato të hapin vendet e punës, jo deputeti. Di çfarë do të bëj për rininë, nuk do tu jap birra për ti pasur pas vetes, ajo që do të bëj do ti rri pas derës Kryeministrit përditë deri sa Shkodra të ketë qendrën e vet të Inovacionit, deri sa shkodrani t’i jepet mundësia që të jetë aty ku e meritojmë, në majë dhe pastaj mund ta pi edhe një birrë me ta”, nënvizoi Bilali.

Kandidatja e PS-së u shpreh se “Kryeministrin e kemi parë në shumë profile, ama kemi arritur ta njohim në dy vitet e fundit . Këtu do të ndaj ku më është ndryshuar mendja mua. Vjet në mars kam pasur frikë për jetën e prindërve të mi, siç mendoj kanë pasur frikë një pjesë prej jush. Sepse e nesërmja ishte e pasigurt jo për në Shqipëri, por për gjithë Europën dhe botën”.

“Kam ndjekur si intelektuale aktualitetin e të gjithë politikanëve të Europës dhe shikoja një Kryeministër që u përul përpara gjithë botës për popullin e vet dhe që ne sot jemi rast suksesi. A ka integrim më të madh se ky në Europë? Kërkojmë integrimin, një Kryeministër që sot na garanton jetën, që nuk ka çmim, që falë tij sot ne arrijmë 500 mijë vaksina në maj, që lufta e shekullit është e fituar, kush e bëri? Kolegët e tij në Europë janë duke luftuar për disa vaksina dhe janë mbrapa me dozat se Shqipëria, shikoni ku jemi ne. Nëse kaq nuk mjafton për t’u thënë çohuni një herë të vetme dhe jepjani votën me kërkesë llogarie mbrapa, jo Rama ik nga kafja, jo vetëm fjalë, ky bën ai nuk bën, kush bën?”, përfundoi Bilali.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.