TIRANË, 16 prill /ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, kandidat i PS në qarkun e Beratit në zgjedhjet e 25 prillit, tha se “tani ne jemi bashkë në këtë fushatë dhe në çdo fshat e zonë ku kemi shkelur e kemi parë bashkë se të gjithë të majtët skraparlinj janë në mazhorancë absolute, në mbështetje të Edi Ramës dhe PS, në mbështetje të projektit që kemi nisur 8 vite më parë për të bërë Shqipërinë një vend europian”.
Gjatë fjalës së tij në takimi që zhvilloi sot Kryeministri Edi Rama me banorë të Skraparit, Klosi tha se, “si ky shesh që është pjesë e Rilindjes Urbane, bashkë me Edi Ramën ne do të vazhdojmë jo për të ndryshuar vetëm qytetet, ashtu siç kemi bërë në çdo qendër bashkie, por do t’i shtrijmë këto investime kudo në zonat rurale”.
“Çdo zonë rurale e këtij qarku mund të shërbej si destinacion turistik. Berati turistik e meriton jo vetëm të ketë lidhje kryesore drejt Lushnjës, por që shumë shpejt do të duhet të shkojmë në Korçë, Përmet me rrugët e reja që i kemi realizuar, po realizojmë dhe vijojmë investime të tjera”, – tha ai.
“Ky qark ka bukuri të mëdha me kanionet e Osumit, malin e Tomorit, bukuri të madhe që i ka dhënë Abaz Aliu dhe që meriton më shumë. Shumë njerëz këtu e kanë kuptuar që projekti i Edi Ramës është ai projekt që i përfshin të gjithë ndaj ne kërkojmë të marrim 5 mandate për t’i dhënë një fitore të sigurt PS. Në këto 4 vite kemi kaluar vështirësi, këtu në Skrapar kemi arritur të bëjmë një sasi të madhe vaksinimi dhe kemi shtrirë projektet edhe në zonat rurale. Ndaj duke iu falenderuar se çfarë kemi bërë në 4 vite dhe rezultatet shumë të mirë që morën në 2017, jemi besim plotë se Skrapari do të jetë surpriza e zgjedhjeve të 25 prillit me votën për PS-në”, – deklaroi Klosi.
/r.e/























