Rruga e Arbrit e stërpremtuar, sot realitet/ Mandati i tretë moment i një kapërcimi të madh, çdonjëri do jetë pjesë e rritjes ekonomike

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Dibra se sot drita në fund të tunelit po shkon duke u zmadhuar, njësoj siç zmadhohet drita në fundin e tunelit që duhej hapur me shumë segmente dhe që dibranët e prisnin prej 100 vjetësh për t’u lidhur me Tiranën jo si dy qytete, por si dy pjesë që kanë qëndruar të ndara për kaq shumë kohë vetëm për një rrugë të premtuar e stërpremtuar”.

Në fjalën e tij gjatë takimit të zhvilluar me qytetarët, Kryeministri Rama tha se “sot është aty për t’u bërë pjesë e jetës së përditshme dhe megjithatë sot kur tuneli i pandemisë po shkon duke mbetur mbrapa është krejt normale që gjithsecili të pyesë veten tani që ankthi për jetën po largohet, tani që mijëra gjyshër e gjyshe, baballarë e nëna po buzëqeshin pasi po vaksinohen çfarë vjen mbrapa, si do të vejë puna me ekonominë tonë, jo thjesht me ekonominë e Shqipërisë, por me ekonominë e çdo familje”.

“Sot do të bëjmë që rritja ekonomike e Shqipërisë që e kemi përpara të jetë një rritje ku çdonjëri të jetë pjesë dhe të jetë një rritje ekonomike për të gjithë jo thjesht e vetëm për ato shifra që sigurisht vijnë nga realiteti, por sigurisht nuk u thonë njerëzve asgjë. Sot dua t’u tregoj më pak të dhëna, sepse unë kam kaq shumë besim dhe kam bindjen se mandati i tretë është në fakt momenti i një kapërcimi të madh, i një hapi të jashtëzakonshëm për t’u gjendur në një nivel tjetër, dhe pse mandati i tretë është vendimtar në rrugën drejt asaj maje që unë e kam parë si një ëndërr me sy hapur, jo në gjumë, kur kam lënë emigracionin për të ardhur në Shqipëri dhe për t’u marrë me politikë, që unë e kam parë sa herë që mua lodhja, edhe mërzia për lloj-lloj arsyesh më ka thënë lëre këtë punë”, – nënvizoi Rama.

Arsyeja, vijoi Kryeministri, pse kurrë nuk jam dorëzuar dhe pse jam këtu, jo këtu thjesht sot, por përse jam këtu bashkë me ju në këtë moment të kësaj rruge, është se ajo majë që unë e kam parë dhe e shoh çdo ditë dhe më nxjerr çdo ditë nga shtëpia për të vazhduar të luftoj është sot e mbërritshme, është sot aty.

“Thjesht dhe vetëm ne duhet të rezistojmë dhe të mos dorëzohemi përpara tundimit që të ndërrojmë rrugë, të mos dorëzohemi përpara tundimit t’i biem shkurt. Të mos harrojmë se populli ka thënë një fjalë shumë të drejtë “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë” dhe të mos harrojmë, por të kujtohemi se çfarë na ka ndodhur ne kur i kemi rënë shkurt”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ne sot nuk jemi në buzën e greminës ku e gjetëm vendin në vitin 2013, ne sot nuk kërcënohemi nga një kolaps financiar, ne sot nuk jemi në errësirën në të cilën jetonim si një hije që na ndiqte nga pas për shkak se gjysma e njerëzve paguanin gjysma tjetër nuk e paguanin energjinë. Ne sot nuk jemi në pikën kur fëmijët tanë  hynin në shkollë dhe hynin në një xhungël librash që nuk u mësonin asgjë dhe që kishin çoroditur mësues e prindër bashkë”.

“Sot  nuk jemi në kohën kur në spitalet tona nuk kishte as çarçafë, as batanije e jo më pastaj ilaçe, ku sigurisht ne sot nuk jemi ende në majën për ku jemi nisur të ngjitemi. Ngjitja në majë sot është më e vështirë duket akoma më e vështirë se nuk vijmë nga një periudhë dhe kohë e zakonshme, qeverisje e jete të përditshme, por jemi në fund të një periudhe që nuk e kishim përjetuar kohë më parë, nuk e e kishim ditur as se mund të ekzistonte”, – tha Rama.

Më tej Kryeministri u shpreh se “po të na i kishin treguar do të na dukej si një film fantastiko-shkencor ku papritur pa kujtuar bie një virus dhe e gjithë bota mbyllet në shtëpi. Pa pritur e pa kujtuar nuk ka më avionë, nuk ka më fluturime, anije, lundrime, s’ka më pasagjerë dhe të gjithë detyrohen të mbyllen dhe të jetojnë më ankthin se mund të humbin nga dita në ditë prindërit gjyshërit, gjyshet me ankthin e ardhjes së vdekjes në shtëpi pasi shikoje se dikush që ti njeh humbi jetën”.

“Nuk është një jetë e zakonshme, por është një superhall që iu shtua halleve e problemeve të përditshme, është një superstres që iu shtua asaj që është ngarkesa e përditshme e çdo njeriu e çdo familje që jeton me punë, që kërkon më shumë, që do të mbërrijë më shumë”, – tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.