“Brenda mandatit të tretë 6 mijë ha serra, 150 pika të reja grumbullimi”/ Shqipëria, kampione e Ballkanit në bujqësi, turizëm e agroturizëm

TIRANË, 14 prill /ATSH/ “E bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në bujqësi, turizëm, agroturizëm dhe teknologjinë dixhitale”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorë në Dibër, ku solli në vëmendje se sa shumë kanë vuajtur deri më sot fermerët e Dibrës, për t’i nxjerrë prodhimet në treg, matanë këtij hendeku të jashtëzakonshëm mes Dibrës dhe tregjeve jashtë saj, deri në Tiranë.

“Më thonë vazhdimisht dhe më tingëllojnë ende në vesh fjalët e fermerëve të qershive, që në krye të herës, se qershitë tona prishen kur arrijnë në Tiranë. Tani me këtë lidhje që krijon Rruga e Arbrit midis Tiranës dhe Dibrës, përfytyroni se sa shumë më shpejt dhe se sa shumë më tepër prodhimet e Dibrës, do të arrijnë në Tiranë dhe sa shumë të tjerë do të nxiten për të prodhuar dhe rritur prodhimin, sepse tani Tirana është një lagje matanë nuk  është një qytet në fund të botës”, u shpreh Rama.

E sjell këtë shembull, vijoi Kryeministri, për të thënë se ky është fakt, kur flasim për kampionë të Ballkanit në bujqësi.

“Kemi pasur pak a shumë 100 milionë dollarë eksporte bujqësore, sot kemi 400 milionë dollarë, po sa kemi akoma të pashfrytëzuara nga potencialet tona”, – tha Rama, ndërsa theksoi se “prandaj e solla shembullin e Dibrës”.

Ai tha se, “ky nuk është një program elektoral, por është një plan me laps e me letër, që ne brenda manadatit të tretë do t’i çojmë eksportet bujqësore mbi 1 miliard dollarë. Brenda mandatit të tretë ne do të kemi 6 mijë ha serra, 150 pika të reja grumbullimi”.

“Ju keni udhëtuar dhe jeni nga shqiptarët që keni udhëtuar më shumë brenda vendit, dhe ju është dashur ta merrni aq shumë herë këtë rrugë, që më besoni, sa herë më është dashur të nisem ka qenë një stres. Do të kisha ardhur në Dibër 100 herë më tepër për të gjitha këto bukuri që janë këtu, sikur të mos ishte ai stres i rrugës, që tani është një stres që po merr fund për të gjithë ju. Duke pasur parasysh këtë gjë, a ju kujtohet sa shumë shikonit rrugës nga ato tezgat të mbuluara me fier apo plastmas, me njerëz që shisnin mollë, qershi, qepë e patate, sa shumë?” – vijoi Rama.

“Të gjitha rrugët e Shqipërisë, deri para disa vitesh, ishin si rrugët e një merkatoje bujqësie. Ku janë sot? Pse nuk shihen më? Ose tek-tuk mund të ketë mbetur ndonjë. Sepse sot në Shqipëri ka afro 140 pika të reja grumbullimi që janë ndërtuar në këto vite, nga njerëzit në fshat me mbështetjen e kësaj qeverie dhe prodhimi i atyre fermerëve që deri dje dilnin rrugëve, shkon sot në pikat e grumbullimit dhe prej andej del pastaj në eksport apo tregun e brendshëm. Sepse sot Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore që punonte përpara 6-7 vitesh dhe sot Shqipëria eksporton 1 dhe importon 3, ndërsa ky raport përpara disa vitesh ishte 1 me 7. Kjo do të thotë se është rritur eksporti dhe prodhimi i brendshëm, por ne i kemi mundësitë të bëjmë shumë më tepër”, – deklaroi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.