10 miliardë euro investime në mandatin e tretë për të transformuar Shqipërinë njëherë e mirë

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në mandatin e tretë do të investohen 10 miliardë euro për të transformuar Shqipërinë njëherë e mirë.

Duke folur në një takim me qytetarët në Dibër, Rama tha se, “Skavica nga njëra anë dhe transformimi i TEC-it të Vlorës në një port të gazit të lëngshëm, të dyja këto nuk janë ide, të dyja këto janë marrëveshje me qeverinë e SHBA, ndërkohë që marrëveshjet janë shtrirë me dy nga kompanitë më të mëdha amerikane, që po punojnë për këto dy projekte”, tha Rama.

“Plus”, shtoi Rama, “dy parqet fotovoltaike. Njëri ka filluar të ndërtohet, parku më i madh me energji diellore në zonën e Ballkanit, në Karavasta, tjetri fillon së shpejti. Këto na bëjnë ne sovranë në energji dhe na bëjnë ne që asnjë lek nga këtu të mos ikë jashtë për të blerë energji, por vetëm të shesim energji kur të tjerët e kërkojnë, dhe të fusim lekë këtu”.

“Kjo është plotësisht e mundur, dhe këto milionat e eurove që shikoni këtu janë të gjitha jo parashikime, janë të gjitha biznesplane, janë të gjitha pjesë e projekteve”, theksoi Rama.

Dhe në fund fare, shtoi Rama, “kjo paketë, pa llogaritur çfarë do të vijnë investime të huaja që vijnë çdo vit mesatarisht rreth 1 miliard prej shumë vitesh, pa llogaritur se çfarë do të shtohen investime të brendshme, vetëm kjo paketë që përfshin dhe infrastrukturën për të ndërtuar rrugën nga Muriqani në Milot, nga Miloti në Fier, dhe për ta kthyer në një autostradë shpejtësie që është Korridori Blu, duke lënë rrugët paralele alternative për njerëzit. Plus ato që patë më poshtë, bashkë me tunelin e Llogorasë që është i financuar dhe u përsërit gara. Sepse ne nuk bëjmë gara për gara. Nëse në një garë në fund interesi i publikut preket, ne e anulojmë garën dhe fillojmë nga e para. Janë 6 miliardë e 638 milionë që do të fillojnë të investohen. Porti i Sarandës që e patë ka filluar të investohet. Dhe plus të marrim një mesatare, hajde ta ulim, s’po them 1 miliard, le të themi më pak. Kemi 10 miliardë për të investuar në këtë mandat për të transformuar Shqipërinë njëherë e mirë”.

“Mos i dëgjoni ata që thonë, “janë shumë 4 aeroporte për një vend si i yni”. Po sa ka Kroacia? Kroacia është 4 milionë banorë, ka 9 aeroporte. Ka 9 porta për t’i sjellë njerëzit drejt vetes. Dhe çuditërisht Kroacia është e 7-a në botë. E 7-a në botë, për të ardhurat nga turizmi. Ne nuk duam të bëhemi të 8-ët në botë, fare, ne duam të bëhemi ata të cilët meritojmë të jemi si shqiptarë; ata të cilët patriotizmin nuk e përkthejnë në sharje dhe në përçarje; ata të cilët nuk mjaftohen me këngët patriotike; ata të cilët nuk mjaftohen duke tundur flamurin kuqezi në stadium apo duke tundur flamurin kuqezi në fushatë; ata të cilët nuk mjaftohen duke u ulur dhe duke thënë Shqipëria s’bëhet se unë e dua shumë; ata të cilët Zoti e ka thënë se shqiptarët mund të bëhen, kur kanë menduar të na dhurojë këtë Shqipëri që është një pasuri e jashtëzakonshme, që të tjerët do ta kishin zili dhe që vetëm dora e robit, jo dora e Zotit, nuk e ka lënë të kthehet në një pasuri për njerëzit”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.