Ballina Flash

Kushi në takimin me ambasadorin izraelit: Krenari që nxënësit tanë të studiojnë vlerat mikpritëse të shqiptarëve në strehimin e hebrenjve

TIRANË, 14 prill/ ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka mirëpritur në zyrën e saj ambasadorin e Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler.

Gjatë takimit është diskutuar mbi marrëdhëniet e deritanishme mes dy vendeve tona, mbi mundësinë e thellimit të mëtejshëm të tyre, dhe më konkretisht për rolin e luajtur nga Shqipëria për strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Shqipëria ishte i vetmi vend ku hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt për qëndrim në kohën kur në të gjitha vendet e tjera të Europës ata po përndiqeshin dhe vriteshin në masë”, – u shpreh ministrja Kushi në publikimin e saj, ndërsa cilësoi se, “bazuar në vlerat mikpritëse të popullit shqiptar dhe tolerancës fetare që na karakterizon, në Shqipëri u shpëtuan mbi 2 mijë hebrenj, përveç atyre që kishin ardhur këtu që përpara Luftës së Dytë Botërore”.

Ministrja Kushi nënvizoi gjithashtu se “sot, me sytë nga historia, është krenari për mësuesit dhe nxënësit shqiptarë të studiojnë thellësisht këtë kapitull mes popullit shqiptar dhe popullit hebre, në një nga periudhat që është konsideruar nga më të errëtat në historinë e njerëzimit”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Tensione mes konservatorëve gjermanë për pasuesin e Merkelit
Artikulli tjetërTURQI – Dendias në vizitë zyrtare