Ballina Flash

Nga Përmeti në Tropojë/ Rama bisedë me Petrit Malaj: Ky mandat me fokus më të qartë te turizmi malor dhe agroturizmi

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Përmet ka telefonuar mëngjesin e sotëm kandidatin e PS në qarkun e Kukësit, Petrit Malaj, i cili mbulon Tropojën.

“Petrit si je vëlla, si të kam? Ç’thotë Tropoja heroike me Partinë Demokratike?”, e pyeti Kryeministri duke buzëqeshur.

“Në fakt po kaloj një situatë të mirë, një kohë goxha të mirë dhe kam përshtypjen se tropojanët kanë rënë aty ku duhet brenda asaj siç janë ata vetë, njerëz fisnikë, punëtorë, të dashur. Njerëzit e mi, unë mburrem gjithmonë me ta”, tha Malaj.

I pyetur nga Kryeministri Rama sesi po ecën fushata, Malaj u shpreh se, “jam përpjekur të bëj atë që i kam vënë qëllim vetes, që do të thotë të takoj dhe të flas sy më sy me të gjithë”.

“Kam shkelur goxha pjesë të territorit ku takoj njerëz, të cilët kanë halle, kanë derte, por që brenda tyre unë shoh se ka shpresë që në këtë vend ne së bashku mund të bëjmë gjëra shumë të mira. Unë gjithmonë transmetoj atë idenë që kemi biseduar së bashku, që ne kemi se çfarë të bëjmë këtu dhe mendoj se do të bëjmë shumë gjëra të mira”, tha Malaj.

“Patjetër, ata e kanë parë tani që çfarë ndryshimi ka ndodhur atje qysh se ne filluam të punojmë, falë edhe bashkëpunimit që patëm me atë kryetarin e bashkisë në fillim, pavarësisht se ai ishte i PD-së, po u tregua i hapur, bashkëpunues. Edhe me Rexhën tani ne po vazhdojmë punën”, tha Rama.

“Kjo në fakt vlerësohet, të them të drejtën e ndjej veten mirë. Dy janë faktorët që mua më bëjnë të ndjehem mirë këtu. Ajo që unë jam pjesë e këtij komuniteti, që jam tropojan dhe ku të parët e mi më kanë hapur një terren goxha të gjerë, që do të thotë jam i pranueshëm dhe e ndjej veten mirë kudo që shkoj”, tha Malaj.

“Ti je gur i rëndë në vendin tënd aty ku je në Akademinë e Arteve kaq vite. Kjo është thjesht dhe vetëm një nismë për realisht dashurinë për atë vend dhe dëshirën për të vazhduar dhe për ta thelluar ndryshimin. Kështu që edhe kjo gjë është diçka që mbase ti je shumë modest për ta thënë vetë, por duhet ta përcjellim ne atje, që Petriti është thjesht dhe vetëm një tropojan i angazhuar për vendin e vet, jo për veten e vet. Megjithëse edhe aty ke Akademia ka hallet e veta, por nuk është se je në kërkim të ndonjë vendi pune. Kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Rama.

“Kjo është e vërtetë”, tha Malaj, i cili shtoi se, “po flisja për prindërit e mi pak më parë që më kanë krijuar këtë mundësi komunikimi të shkëlqyer me njerëzit”.

“Por nga ana tjetër këto investime që ju përmendët, të them të drejtën janë të prekshme dhe janë reale për të gjithë. More dhe në çdo fshat që kam shkuar. Gjithçka që është bërë në qytet edhe me rrugën e Valbonës, me ujësjellësin në Valbonë. Me rrugët që hapur tani që po punon bashkia, ka hapur shumë fronte pune, në infrastrukturë dhe në vepra të tjera që po punon”, theksoi Malaj.

Kryeministri Rama nënvizoi se, “ne duhet të forcojmë dy mesazhe atje. Që e para njëherë, janë jo vetëm këto të infrastrukturës, por edhe shembuj konkretë që çfarë po bëhet me fuqizimin e sipërmarrjes bujqësore atje. Ata të gështenjave për shembull, po tregojnë që ka një hapësirë të madhe atje për të bërë progres edhe në aspektin ekonomik familjar”.

“Edhe bimët medicinale gjithashtu që këta mbledhin”, tha Malaj.

“Ata i kanë pasur ato, tani janë në rrugën e fuqizimit dhe do vazhdojmë t’i fuqizojmë”, tha Rama.

E dyta, theksoi Kryeministri, “ky mandat do të ketë një fokus më të qartë dhe më të fortë në turizmin malor, për ta strukturuar më shumë dhe për ta lidhur, qoftë dhe me agroturizmin që aty është një përrallë dhe aty mund të bëhen gjëra fantastike dhe kanë filluar, siç e kemi parë dhe në Valbonë me hotelet etj., etj. Por ne do ta fuqizojmë, qoftë edhe nëpërmjet investimeve të huaja që mund të vijnë atje dhe ne do t’i sjellim. Kështu që e ardhmja është vërtetë goxha tërheqëse, por duhet 25 prilli”.

“Unë i besoj, po jo vetëm unë. Të them të drejtën ajo se ç’kam marrë nga njerëzit, edhe për nevojën e zhvillimit të turizmit malor, siç bashkë e kemi biseduar dhe herë tjetër, është një domosdoshmëri, sepse ky vend vërtetë është një përrallë nga kjo pikëpamje. Dhe disa investime që janë të nevojshme për rrugët e Bjeshkëve apo për t’i bërë ato të kapshme dhe nga turistët do të jenë të nevojshme që të bëhen”, u shpreh Malaj.

“Ne e kemi bërë këtë diskutim bashkë, ti ma vure kusht. Kështu unë që s’kam çfarë të bëj, më ke marrë peng tani, por thuaju atyre, bëjua të qartë që duhet kjo mbështetje për të vazhduar ne punën, jo për ne personalisht e para”, tha Rama.

Dhe e dyta, shtoi kreu i qeverisë, “duhet luftuar deri në fund ai tifozllëku absurd politik, se nuk shkohet asgjëkundi me atë. Domethënë nuk po i kërkon njeri asnjë demokrati atje të bëhet socialist, por thjesht dhe vetëm të shohë interesin e Tropojës dhe interesin e vet. Interesin e Tropojës mund ta shohë kush e ka mbrojtur më mirë dhe kush e ka ushqyer më mirë. Se nuk ka krahasim me çfarë kemi bërë ne dhe çfarë kanë bërë ata atje çerek shekulli, që s’bënë asgjë, i lanë si xhep fals atje dhe i përdornin vetëm për dëme dhe stimulime e simulime agresive. Ndërkohë që ne i kemi parë vërtetë si një komunitet fantastik që mund të bëjnë gjëra fantastike në atë vend fantastik”.

I pyetur nga kandidati Malaj nëse do ta vizitojë Tropojën, Rama tha se, “patjetër, ku do shkoj unë pa kaluar në Tropojë”.

“Ti do vish atje se do të hapim aeroportin e Kukësit edhe do presim ata çunat e Londrës nga Kukësi që më kanë sharë më kanë bërë copë. Pastaj do shkojmë në Tropojë, ose para, ose mbrapa do jemi në Tropojë, patjetër. Pa Tropojën s’kemi ku shkojmë”, tha Rama. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTakim me banorët në Turan/ Peleshi: Punët e mira në qytetin e Korçës t’i çojmë në çdo fshat
Artikulli tjetërKombëtarja e femrave niset drejt Bosnjës, rezulton negative në testet Covid-19