“Mandati i dytë, luftë me dy fronte”/ Jemi një prej dy vendeve në rajon që ka nisur vaksinimin masiv antikovid

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Bilishti i Korçës se “çdo jetë e çdo shqiptari dhe shqiptareje është një vlerë e çmuar e këtij vendi dhe kësaj bashkësie dhe nuk mundet ta vëmë në rrezik për disa shfaqje të pakuptimta në mesin e një lufte që ka karakterizuar për hir të vërtetës këtë mandat të dytë”.

Në fjalën e tij gjatë Këndit të Fjalës me qytetarë të Bilishtit, Rama tha se “me keqardhjen që edhe këtu u desh të bëhej një organizim shumë i kujdesshëm duke lënë jashtë pjesëmarrjes shumë më tepër sesa ju që jeni këtu, por kjo është etika jonë, kjo është  qasja jonë ndaj një problemi që është problem i problemeve që do ta zgjidhim me patjetër dhe e kemi futur në rrugën e zgjidhjes: shpëtimi dhe sigurimi i shëndetit të shqiptarëve kudo ku janë, pavarësisht bindjeve të tyre politike, pavarësisht përkatësive, statusit të tyre social”.

“Ne kemi bërë një mandat qeverisës dhe pastaj nuk kemi pasur një mandat qeverisës në kuptimin e parë të fjalës, por jo për zgjedhjen tonë as nga dëshira jonë. Kemi hyrë në një luftë me dy fronte me dy fatkeqësi të mëdha: një tërmet katastrofik që brenda pak sekondash la pa çati mijëra e mijëra familje, la pa shkollë mijëra e mijëra nxënës, la pa një qendër të afërt shëndetësore mijëra të moshuar e njerëz në nevojë; dhe një virus që gjunjëzoi mbarë botën dhe mbylli brenda shtetet më të fuqishme të planetit dhe sfidoi sistemet më të zhvilluara shëndetësore të globit”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se, “jemi këtu sot në një moment të kësaj lufte ku kemi filluar kundërsulmin dhe kemi filluar një ofensivë për ta nxjerrë jashtë nga jetët tona dhe vendi ynë armikun e padukshëm duke garantuar procesin e vaksinimit masiv që në këtë rajonin tonë të lënë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave nga BE nuk ishte diçka e lehtë dhe mbetet e vështirë për vendet e tjera rrotull nesh në rajon”.

“Jemi njëri nga dy vendet në një komunitet prej 6 shtetesh dhe po bëjmë vaksinim masiv dhe po e bëjmë më ritme që na kanë vendosur tani në pjesën e sipërme të klasifikimit në të gjithë kontinentin. Po garantojmë mbrojtjen e jetës së gjyshërve dhe gjysheve në radhë të parë të të gjithëve pa dallim, pa dashur se me kë janë dhe për kë votojnë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “vaksinimi masiv është një proces që nuk do të ndalet. Kemi siguruar që çdo ditë kudo në gjithë Shqipërinë në qendrat urbane dhe në qendrat shëndetësore të fshatrave të këpusim zinxhirin e infektimit duke nxjerrë nga zona e rrezikut me mijëra njerëz duke bërë të mundur që më të moshuarit të jenë të mbrojtur, duke bërë të mundur që hap pas hapi fashat të shkojnë duke u ulur dhe më të rinjtë të fillojnë të vaksinohen”.

“Duke bërë të mundur që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar nga kjo barrë e tmerrshme, nga ky ankth i madh, nga ato shtrëngesa të detyruara dhe Shqipëria të buzëqeshë. Ky është qëllimi unë fushata elektorale vjen pas kësaj”, – tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.