Ballina Flash

Mbërrijnë 9360 doza të tjera të vaksinës “Pfizer”/ Manastirliu: Mbi 80 mijë doza vaksinash kanë mbërritur në Shqipëri


TIRANË, 15 mars/ATSH-Maela Marini/ 9 360 doza të tjera të vaksinës “Pfizer” mbërritën sot në aeroportin “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaruan se ndërkohë do të vijojë lëvrimi i sasive të tjera nga kontrata prej 500 mijë dozash me “Pfizer”.

“Sot kemi edhe 9360 doza të cilat vijnë nga kontrata jonë me ‘Pfizer’. Do të vijojmë me rivaksinimin, pra me dozat e dyta dhe do të përmbyllim të gjithë pjesën e vaksinimeve të para të kryera për stafet mjekësore edhe për të moshuarit në Shtëpitë e të Moshuarve dhe me ata që kemi vijuar, plus 80 vjeç, për të siguruar mbrojtjen e plotë dhe gjithashtu efikasitetin e vaksinimit si proces”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, ajo theksoi se, “prej muajit prill do të vijojmë të kemi lëvrimin e kontratës dhe do të vijojmë gjithashtu me vaksinimin e kësaj kategorie, plus 80 vjeç, ndërkohë që presim edhe sasitë e tjera të vaksinave që jemi në kontraktim e sipër”.

“Këto doza do shkojnë në Institutin e Shëndetit Publik do të depozitohen në frigoriferët e ISHP-së për t’u shpërndarë më pas në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se, “ndërkohë presim edhe vaksinat e tjera dhe do të kemi një intensifikim të vaksinimit dhe shtrirje në të gjitha kategoritë”.

“Pas përfundimit të personave mbi 80 vjeç, ulim fashën në personat mbi 75 vjeç, ata me sëmundje kronike, vijojmë me grupet e riskuara që janë mësuesit dhe kategoritë e tjera, të cilat janë dhe punojnë në shërbimet kritike. Pra, vijojmë me vaksinimin e përqendruar”, tha ajo.

Manastirliu theksoi se, “deri tani Shqipëria ka pritur në sajë të kontratave që ka lidhur, mbi 80 mijë doza të vaksinave, ku vijojnë të kryhen brenda të gjithë parametrave të sigurisë”.  Ndërkohë, tha ajo, “vaksinimi do të jetë një proces që do të vazhdojë duke u intensifikuar ditë pas dite”.

“Sot kemi kryer 2400 vaksinime në të gjithë territorin dhe rivaksinime gjithashtu për të kompletuar procesin dhe do të vijojmë me intensifikimin sipas atyre kalendarëve të vaksinave edhe në vijim”, shtoi ajo.

Ndërsa, ministri Ahmetaj tha se nga kontrata me “Pfizer” janë 500 mijë vaksina dhe do të vazhdojnë normalisht në muajin prill, maj, qershor, nuk do të ketë asnjë muaj bosh.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Çamët janë me PS; Dule dhe Idrizi përleshen për një karrige
Artikulli tjetër11 kantiere të Rilindjes që po e transformojnë Laçin