Ballina Aktualitet

E para në Shkodër/ Bilali: Lista përfaqësuese dhe me integritet, pika e fortë e PS-së

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Edona Bilali, e para në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës u shpreh sot se listat e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit, janë shumë përfaqësuese, me figura të spikatura dhe me integritet.

Në një intervistë televizive, Bilali shprehet se e ka mirëpritur ftesën e Kryeministrit. “Jam shumë e kënaqur që do të përfaqësoj një pjesë të Shkodrës, e cila është ndier e papërfaqësuar gjithë këto vite. Jam shumë e motivuar për të bërë shumë për Shkodrën për të cilën sado të bësh nuk është kurrë e mjaftueshme”, tha ajo.

Bilali u shpreh se vjen me 11 vite eksperiencë pune gjatë të cilës nuk e ka ndalur ritmin aspak.

“Atë që kam bërë deri më tani për komunitetin e bizneseve në Shkodër, për të rinjtë në Shkodër, po më jepet mundësia për ta bërë në një nivel shumë më të madh ku përfituesit do të jenë shumë më shumë”, tha ajo.

Bilali tha se listat e kandidatëve janë pika më e fortë e PS-së në këto zgjedhje pasi janë përfaqësues të të gjitha komuniteteve dhe me integritet.

“Në të gjithë Shqipërinë dhe në Shkodër pika më e fortë e Partisë Socialiste janë listat e kandidatëve. Janë shumë përfaqësuese këtë herë. Në të gjithë qarqet gjejmë figura të cilat janë të spikatura në profesionet e tyre, persona me integritet ku gjithkush e gjen veten. Kishte ardhur koha për të pasur shumë gra dhe vajza të cilat kryesojnë listat. Unë kam lobuar për Shkodrën të gjithë karrierën time”, tha ajo.

“Në Shkodër Partia Socialiste ka bërë disa iniciativa të cilat duhen përgëzuar! Ka patjetër shumë më shumë për tu bërë. Shkodra është një qytet i mrekullueshëm, me disa pasuri natyrore por edhe vlera historiko-kulturore dhe intelektuale të cilat përfundimisht të jemi në majë”, tha Bilali. /m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHUNGARI – Spitalet të mbingarkuara nga vala e tretë e COVID-19
Artikulli tjetërVlerë rekord shitjeje në ankand për një vepër kriptoartistike