TIRANË, 10 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vizioni i PS për vitin 2030 është që Shqipëria të jetë zgjedhja e parë e çdo shqiptari, jo emigracioni.
“Është e lehtë dhe e bukur ta thuash, por a e imagjinoni sa e vështirë është të bësh këtë diskutim. Ama nuk ka diskutim nëse bëhet apo jo, sepse o bëhet kjo, o politika nuk i duhet dreqit. E nëse ka një forcë që mund të bëjë është Partia Socialiste. Nëse ka njerëz që mund ta bëjnë, këta njerëz janë në këtë skuadër”, tha Rama.
Duke komentuar listën e propozuar nga PS për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, Rama tha se kemi një skuadër që vjen nga të gjitha rrugët e jetës dhe ju flet të gjitha kategorive, moshave, zonave, i flet Shqipërisë në qytet, fshat, atyre që janë më mirë dhe atyre që ende nuk janë më mirë.
“Besoj se jemi gati, por deri këtu thjeshtë jemi bërë gati. Tani fillon ndeshja. Në këtë ndeshje mos e harroni se ne vërtet jemi më të mirët, por nuk jemi aq të mirë sa të mos i puthim duart njerëzve e tu kërkojmë ndjesë për çfarë nuk kemi bërë, e të mos kemi të gjithë durimin për të mos i dëgjuar deri në fund njerëzit, e të mos kemi të gjithë kurajon për t’u thënë: po këtu kemi bërë gabim”, u shpreh Kryeministri.
Ne, vijoi ai, duhet të shkojmë para njerëzve e të shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që të jep demokracia për t’u rrëfen për gjithçka nuk ka shkuar mirë, për t’u thënë se çfarë kemi bërë.
“Ne vetë jemi të vetëdijshëm që nuk mjafton që ne të ndjehemi të plotësuar karshi tyre, përkundrazi jemi ende në borxh të madh me ata që na kanë dhënë besimin për mandatin e dytë, ama çfarë kemi bërë mjafton për t’i garantuar se ne e dimë ku duam të shkojmë dhe ne e dimë se si shkohet aty ku duam”, deklaroi Kryeministri.
Sipas kryeministrit, duhet durim dhe kohë të realizojmë qëllimet që kemi.
“Forca, kurajo dhe vrap. Vraponi, ju që jeni mbi kufij, se ata në kufij janë më të njohur, do marrin shumë vota dhe cilido nga ju që është mbi kufinj. Vraponi ju që jeni nën kufij, sepse ne kemi hapur listat, kemi krijuar mundësinë për të gjithë. Nuk është e lehtë por vraponi me vetëdijen se çdo votë është për skuadrën dhe nëse fiton skuadra ka fituar çdo lojtar. Shikojeni skuadrën e Tiranës, 12 në sulm 12 në mesfushë dhe 12 në mbrojtje. Kjo është strategjia. Në sulm ata që janë përpara, në mes fushë ata që organizojnë dhe nxisin mekanizmin e skuadrës dhe në mbrojtje ata që duhet të ruajnë skuadrën nga golat e parregullt, sidomos të LSI që është e mësuar, e stërvitur, dhe të gjitha shpresat i ka te golat e parregullt”, tha Kryeministri.
“Objektivi bazë është 19 dhe nuk e luan topi, objektivi maksimal është 20 dhe nëse luajmë me të gjitha forcat do jetë i arritur. Nuk po shkoj tek të gjithë me radhë vetëm po ju kërkoj të vraponi për Shqipërinë, për të ardhmen, pa parë se kush janë ata që i bien borive të parkingu i makinave të vjetra për të ndaluar autokolonën tonë. Harrojini ata! Vetëm përpara, sepse ne jemi ata që e kemi mision ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen e të gjithëve”, deklaroi lideri i PS-së.
/r.e/























