BAVARI, 10 mars /ATSH-DPA/ – Kompania ”Apple” ka njoftuar se do të investojë më shumë se një miliard euro (1,19 miliardë dollarë) në Gjermani gjatë tre viteve të ardhshme, kryesisht në Bavari.
Gjiganti amerikan ka thënë që qendrat ekzistuese të kërkimit dhe zhvillimit në zonën e Mynihut do të zgjerohen në Qendrën Europiane të Projektimit të ”Apple”.
”Apple” bleu sektorin e modemit celular të gjigantit të çipave ”Intel” në verën e vitit 2019 dhe që atëherë ka zgjeruar laboratorët e saj në zonën e Mynihut për t’u bërë qendra më e madhe e zhvillimit të ”Apple” në Europë.
Sipas kompanisë me bazë në Kaliforni, gati 1 500 inxhinierë nga 40 vende tani punojnë atje në fushën e dizajnit të menaxhimit të energjisë.
Rreth gjysma e ekipit global të dizajnit të menaxhimit të energjisë të ”Apple” është e vendosur në Gjermani. /os/























