Në 25 prill vendosim nëse Shqipëria do të ecë përpara, apo do të zhytet në gropën e asaj politike që na çoi në buzën e humnerës para 7 viteve

TIRANË, 28 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ndeshja e 25 prillit do të vendosë nëse do të çojmë përpara punët e nisura nga çdo drejtim, nga drejtësia te shëndetësia, ekonomia, arsimi, infrastruktura, bujqësia e me radhë, apo nëse do të ngecim përsëri dhe do të rizhytemi në gropën e asaj politike, e cila na çoi deri në buzën e humnerës të 7 viteve e ca më parë”.

Rama zhvilloi sot një takim me disa prej finalistëve të platformës “Deputeti që duam”, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit.

“Pak ditë na ndajnë nga zbritja në fushë e skuadrës sonë kombëtare për ndeshjen e 25 prillit. Është një ndeshje vendimtare për Shqipërinë, në mes të një lufte botërore që vazhdon me armikun e padukshëm dhe në kulmin e punës për zhdukjen e pasojave të tërmetit. Ndeshje ku do të vendoset nëse Shqipëria do të vazhdojë përpara për t’u bërë ajo që duam, apo do të kthehet mbrapa për tu ribërë ajo që largqoftë kishim”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në 25 prill do të vendoset nëse do të dalim shpejt nga kthetrat e pandemisë duke siguruar në kohë të gjitha dozat e vaksinave për të ecur shpejt përpara me këputjen javë pas jave, muaj pas muaji të zinxhirit të infektimeve, apo do të humbasim kohë të çmuar duke rënë në kthetrat e politikës së vjetër”.

“Nuk kemi bërë vërtetë shumë, por pa asnjë diskutim kemi bërë më shumë se sa të gjithë ata që e kishin këtë detyrë para nesh. Padiskutim nuk i kemi bërë mirë të gjitha dhe nuk kemi bërë aq sa do mund të bënim nëse ky mandat nuk do të ishte thyer në mes nga tërmeti dhe pandemia, por kush arsyeton me mendje të kthjellët nuk e diskuton se nuk jemi kursyer në përpjekjet tona asnjë ditë. Unë vetë, si i pari i familjes sonë të madhe kam bërë çmosin në krye të të gjitha përpjekjeve, duke vënë çdo ditë mishin dhe shpirtin në dispozicion të detyrës për ta merituar çdo ditë nderin e jashtëzakonshëm që me keni bërë me besimin që më keni dhënë”, tha Rama. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.