TIRANË, 3 shkurt/ATSH – A. Fortuzi/ Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja duke folur mbi deklaratën e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit nga partitë politike, theksoi se kjo është normale, pasi jemi 80 ditë para zgjedhjeve dhe fokusi i ligjit të dekriminalizimit duhet të jetë në tryezën e të gjitha partive politike.
“Nuk e di se çfarë ka më të rëndësishme në këtë fushatë se lista me kandidatë potencialë dhe të pastër nga pikëpamja e ligjit të dekriminalizimit. Të gjitha partitë kanë detyrimin të përmbushin ato kushtet që përmbush ligji i dekriminalizimit”, – tha Manja gjatë një interviste televizive.
“Një ligj i votuar me konsensus të plotë. Thelbi i atij ligji është vetëdeklarimi i kandidatëve brenda partive. Hapi i kryetarit të partisë është paraqitja e listës së kandidatëve, me vetëdeklarimin e kandidatëve dhe në momentin që do të dalë lista, ta dorëzojë tek Prokurori i Përgjithshëm, këtu mbaron filtri tek partia politike, të tjerat janë në duar të Prokurorisë, KQZ-së etj.”, – nënvizoi Manja.
“Në çdo kohë që vërtetohen kushtet e ndalimit, apo mashtrimit, i hiqet mandati, kur ka fituar, apo hiqet nga lista kur jemi në kushtet ende të kandidimit. Këtu më tej, vepron partia, që nuk duhet të bëhet mburojë për këto kandidatë apo deputetë që kanë qenë në lista, por marrin masat përkatëse. Partia Socialiste asnjëherë nuk është bërë mburojë për asnjë individ që është prekur nga dekriminalizimi”, – vijoi Manja.
“Në këto zgjedhje, do të ketë një votë për subjektin politik, një votë për kandidatët. Partia Socialiste do ta bëjë këtë filtër, jo vetëm për shkak të ligjit, por edhe filtër moral. Duam të shkojmë në zgjedhje me figura publike, sepse është një raport i ri me zgjedhësit. Kur them Partia Socialiste do ta bëjë këtë, jam i bindur se edhe të gjitha partitë politike duhet të vijnë me një ofertë ndryshe përpara zgjedhjeve”, – tha Manja.
“Unë s’kam arsye sot ta paragjykoj listën e kandidatëve të PS. Në momentin që do të depozitohet lista, mund të kemi një tryezë tjetër për të parë se sa e ka respektuar kodin moral PS, dhe sa e kanë respektuar këtë kod moral partitë e tjera. PS ka qenë e qartë dhe është i qartë raporti i PS me ligjin”, – theksoi Manja.
“Unë nuk shoh asgjë të keqe që ambasadorja e SHBA, ngre alarmin për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe partitë duhet të bëjnë një filtër moral të kandidatëve, pasi do dalin para zgjedhësve dhe do të paraqesin listën e kandidatëve dhe do të ballafaqohen me këtë listë dhe në politikë ka ca karta morale, që duhen zbatuar”, – përfundoi Manja. /a.a/r.e/























