TIRANË, 30 janar /ATSH/ -Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaron për ATSH se, “Partia Republikane, në një listë të përbashkët me Partinë Demokratike, do të ketë kandidatët e saj në të gjithë qarqet”.
Ai nënvizoi se sa i përket zgjedhjeve, ka nevojë për një koalicion më të qartë elektoral dhe një koalicion programor me një objektiv të qartë dhe një kontratë me qytetarët shqiptarë.
I pyetur nëse do të jetë në një koalicion me Partinë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit apo Partia Republikane do të dalë e vetme.
“Ne jemi në një koalicion me Partinë Demokratike prej 30 vitesh dhe që pas 2013-ës jemi në një koalicion politik dhe kemi ndërmarrë vendime të përbashkëta dhe ndonjëherë shumë të vështira”, u shpreh Mediu.
“Por pa dyshim”, shtoi Mediu, “që kjo ka nevojë sa i përket zgjedhjeve për një koalicion më të qartë elektoral dhe një koalicion programor me një objektiv të qartë dhe një kontratë me qytetarët shqiptarë dhe ky është një proces që ne po punojmë së bashku”, tha Mediu.
I pyetur në lidhje me listat nëse PR do të dalë me listat e saj apo në listat e Partisë Demokratike, Mediu tha se, “besoj se Partia Republikane, në një listë të përbashkët me Partinë Demokratike, do të ketë kandidatët e saj në të gjithë qarqet”.
“Ne po kërkojmë që të ketë një konkurrim të përbashkët të të gjithë opozitës dhe besoj që konkurrimi i Partisë Republikane në të gjitha qarqet është i nevojshëm, jo vetëm për Partinë Republikane, por për gjithë koalicionin dhe për Partinë Demokratike në mënyrë të veçantë”, theksoi Mediu.
Pra sqaroi ai, “e gjithë ideja është që ne sipas peshës që kanë partitë politike të ndërtojmë një koalicion ku të kontribuojnë të gjitha partitë politike”.
I pyetur nëse ka pasur kontakte me partitë e reja të djathta si ajo e znj. Topalli apo e z. Patozi, për të dalë me lista të përbashkëta nëse nuk do të arrihej marrëveshje me PD-në për listat, Mediu u shpreh se nuk ka pasur kontakte.
“Jo, nuk kam pasur asnjë kontakt me askënd. Për mua ka një koalicion që është me Partinë Demokratike dhe shpresoj që ky koalicion të jetë sa më i gjerë dhe të përfshijë të gjitha forcat politike opozitare. Pastaj secili në mënyrë personale ose politike bën zgjedhjen e vetë”, theksoi Mediu për ATSH.























