Ballina Ekonomi

FAO me përfaqësi në Shqipëri/ Hysi: Mbështetje dhe asistencë e shtuar për fermerët dhe bujqësinë

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me vende të ndryshme të botës që mundësojnë zhvillimin e strategjive ekonomike, ku një ndër më kryesoret është edhe ajo për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimin rural.

Kështu u shpreh sot, në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, si relatore e projektlikgjit që ka për qëllim të ratifikojë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet MBZHR  dhe FAO-s, për krijimin e një përfaqësie të FAO-s në Republikën e Shqipërisë, që siç theksoi ajo “bashkëpunimi me FAO-n nuk është thjeshtë përafrim legjislacioni, por është një vëmendje e shtuar për zhvillimin e bujqësisë që është mirëqënie për fermerët por për të gjithë shqiptarët”.

Sipas saj, bujqësia, është një sektor shumë i rëndësishëm i zhvillimin ekonomik të vendit. Nga ana tjetër kemi rritur vëmendjen për rritjen e sigurisë ushqimore dhe cilësinë e ushqimeve si të drejta themelore të njeriut dhe më vjen mirë se me angazhimin e marrë , qeveria përmbush iniciativat për zhvillimin e qëndrueshëm të Axhendës 2030.

Gjithashtu, vijoi ajo, nxitja e rritjes ekonomike e vazhdueshme dhe e qëndrueshme, rritja e punësimit në sektorin rural është një arritje tjetër, por edhe një nevojë për t’i çuar më tej këto përmirësime.

Hysi theksoi se “është pikërisht kjo marrëveshje e cila do të ndihmojë për t’i dhënë asistencë fermerëve dhe të rrisë kapacitetet e institucioneve që kanë për detyrë të mbështesin fermerët dhe ekonominë në bujqësi. Nga ana tjetër krijimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit vendas, janë një nga fushat që në këtë mandat është bashkëpunuar shumë dhe treguesit shënojnë arritje pozitive”.

Ajo bëri apel në promovimin e modele të mira të zhvillimit që zhvillojnë fermerët dhe siç theksoi Hysi, “duhet t’i inkurajojmë ata dhe t’i informojmë për të përfituar nga Skemat e Mbështetjes dhe projektet e donatorëve. Investimi në bujqësi ndikon në rritjen ekonomike të fermerëve dhe vendit.

Nafta pa taksa për bujqësinë, aplikimi online, pastrimi i kanaleve ujitëse që i kishim harruar për vite të tëra, apo krijimi i pikave të grumbullimit dëshmojnë për politikat e duhura në këtë sektor”, tha Hysi.

“Të gjithë ne jemi konsumatorë të ushqimeve dhe kemi nevojë për produkte sa më të mira dhe të sigurta, ndaj të gjithë ne duhet të promovojmë fort për të mbështetur fermerët dhe biznesin rural, sepse ndonëse kaluam shumë vështirësi në 2020, sektori i bujqësisë rezultoi sektori me arritjet më të larta, dhe gjej rastin të përshëndes të githë aktorët që kanë kontribuar në këtë drejtim”, – tha ajo. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbrojtja e të dhënave personale/ Dervishi për ATSH: Zyra e Komisionerit, rol të rëndësishëm në garantimin e kësaj të drejte dhe lirie themelore
Artikulli tjetërKursi i këmbimit/ Dollari dhe euroja forcojnë pozitat në raport me lekun