TIRANË, 28 janar/ATSH/ 28 Janari është Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Kjo datë përkon këtë vit me një moment historik për komunitetin e profesionistëve të privatësisë, pasi është 40-vjetori i Konventës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”, e njohur gjerësisht si Konventa 108 e Këshillit të Europës.
Që prej 1981, kjo Konventë e rëndësishme përbën aktin e parë detyrues në hapësirën europiane në këtë fushë. Shqipëria e ratifikon dokumentin duke e bërë pjesë të legjislacionit kombëtar në vitin 2004, nëpërmjet miratimit të ligjit nr. 9288.
Në një intervistë për ATSH, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi u shpreh se “mbrojtja e të dhënave personale, është një liri dhe e drejtë themelore e njeriut. Është e sanksionuar në të gjitha vendet europiane edhe më gjerë. Gjithashtu është e sanksionuar edhe në Nenin 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Ai tha se 28 Janari lidhet me një dokument shumë të rëndësishëm ndërkombëtar që është Konventa për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale, e ashtuquajtura konventa 108. “Kjo konventë pas një pune paraprake shumë të rëndësishme të kryer nga Këshilli i Europës është miratuar përfundimisht në vitin 1981, pikërisht në datën 28 janar. Në vitin 2007 të gjithë vendet anëtare, së bashku Forumi i Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale që funksionon në një formatin e një komiteti konsultativ pranë Këshillit të Europës, vendosën të gjithë së bashku që 28 Janari të kremtohej si dita e mbrojtjes së të dhënave personale. Që prej atij viti, të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Europës në datën 28 janar të festojmë pra këtë ditë të mbrojtjes së të dhënave personale. Dhe zhvillojnë një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese, promovuese për këtë të drejtë dhe liri themelore të njeriut”.
Duke folur për rëndësinë e ruajtjes së të dhënave, Dervishi tha për ATSH se “çdokush ka të drejtë ta ndërtojë jetën e tij në funksion të asaj ç’ka do ai të bëhet publike apo ç’ka duhet ta ruaj për veten e tij ose për njerëzit e tij të afërt dhe kjo përcakton një seri rregullash se si shtetasit e tjerë, por veçanërisht organet publike ose private që në terminologjinë e mbrojtjes së të dhënave konsiderohen kontrollues ose përpunues, pra tërësia e rregullave që ata duhet të zbatojnë për të garantuar privatësinë dhe mbrojtjen e jetës private të çdo subjekti të mbrojtjes së të dhënave që nuk janë gjë tjetër veçse qytetarët e Republikës”.
Dervishi solli edhe shembujt më të thjeshtë që përfshihen në parimet e mbrojtjes së të dhënave personale. “Unë mund t’i jap të dhënat e mia personale, për një qëllim të caktuar, mund të vete në bankë për të hapur një llogari bankare, banka në cilësinë e kontrolluesit, nuk mund që këto të dhëna t’i përdorë për një qëllim tjetër nga ai për të cilën unë ia kam dhënë. nuk mund t’ia japë një agjencie turistike për të promovuar paketa turistike apo çfarëdo gjëje tjetër”, nënvizoi Dervishi.
“Është e vërtetë që Zyra e Komisionerit ka 13 vjet, por që si çdo fëmijë i vogël, ka hapat e para të rritjes së tij. Hapat e para kanë qenë tejet të vështira sepse edhe mbrojtja e të dhënave ishte një koncept i ri që nuk kishte një terren ku të shtrihej dhe të zgjerohej, megjithatë është bërë goxha punë dhe mund të themi që sot Zyra e Komisionerit luan një rol të rëndësishëm në renditjen e institucioneve të rëndësishme të pavarura përsa i përket mbrojtjes dhe garantimit të kësaj të drejte dhe lirie themelore”, deklaroi ai.
Dervishi tha më tej se “Zyra e Komisionerit duke filluar që nga viti 2014 i është ngarkuar një detyrë tjetër që është po një e drejtë themelore e njeriut që është e drejta për informimin që është e sanksionuar në nenin 23 të Kushtetutës dhe të dy këto kolona kanë bërë që zyra e Komisionerit të rritet, të forcohet. Natyrisht që janë shtuar edhe përgjegjësitë për të, por që edhe kontributi i saj është rritur goxha nga viti në vit. Më duhet të them që Zyra e Komisionerit është ngritur si një detyrim që rrjedh nga aktet ndërkombëtare, nga Konventa 108 që ne përmendëm, por edhe nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian sepse si Konventa ashtu edhe direktiva që ishte në fuqi në Bashkimin Europian, rregullorja që është sot dhe quhet GDPR, që është akti më i rëndësishëm që mbron të dhënat personale në Bashkimin Europian, i imponojnë çdo shteti anëtar, krijimin e një institucioni të pavarur, ose mbrojtjen e të dhënave personale nga një institucion i pavarur”.
“ Më duhet të them me kënaqësi se si nga Këshilli i Europës, por edhe nga Bashkimi Europian, Zyra e Komisionerit ka pasur një vlerësim maksimal përsa i përket punës së saj, zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si në vlerësimin e brendshëm ashtu edhe në vlerësimin ndërkombëtar“, shtoi më tej ai, duke nënvizuar se “Zyra e Komisionerit është anëtare me të drejta të plota e të gjithë forumeve ndërkombëtare e mbrojtjes së të dhënave. Gjithashtu është anëtare edhe në cilësinë e vëzhguesit në bordin europian të mbrojtjes së të dhënave, që është bordi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian”.
Por sipas, tij, kjo është një betejë e vazhdueshme. “Nga njëra anë ne nuk mund të bëhemi pengesë për zhvillimet teknologjike për zhvillimin shoqëror. Nëse ne do të ndalonim përpunimin e të dhënave personale, do të ndalonim çdo lloj aktiviteti, zhvillimet shoqërore, zhvillimet ekonomike, do të ndalonte ekonomia, sepse nuk ka një subjekt tregtar ose ekonomik që në veprimtarinë e tij të mos ketë përpunim të të dhënave personale edhe ata që përpunojnë në fund të fundit të dhënat personale të punonjësve të tyre, e jo më pastaj në zhvillimet teknologjike”, deklaroi Dervishi për ATSH.
Gjatë intervistës, Dervishi u ndal edhe në rregulloren e re të BE-së, duke shtuar se “po implementojmë aktualisht dhe kemi filluar që nga tetori i vitit të kaluar dhe përfundon në fund të shtatorit të këtij viti, transpozimi i kësaj rregulloreje, pra legjislacioni i Bashkimit Europian i mbrojtjes së të dhënave dhe brenda këtij viti, ne do kemi legjislacionin e mbrojtjes së të dhënave”.
Për të qenë akoma më konkret, tha Dervishi për ATSH, viti i kaluar jo vetëm për mbrojtjen e të dhënave, por për të gjithë jetën e vendit ka qenë shumë i vështirë për shkak të pandemisë Covid-19.
“Më duhet të vlerësoj tejet pozitivisht bashkëpunimin që ne kemi pasur me të gjitha institucionet të cilat kanë vepruar dhe bashkëvepruar në këtë situatë të re të krijuar. Po të marrim shembull veprimin që kryhej për dhënien e lejeve të lëvizjes nga Policia e Shteti nëpërmjet portalit e-Albania, situata do të ishte shumë delikate në qoftë se nuk do të ishin marrë masat e nevojshme për të ruajtur të dhënat personale. Natyrisht që ajo i shërbente një qëllimi më të madh, por nga ana tjetër do të sillte një dëm të përdoruesve të sistemit nëse nuk do të garantoheshin të dhënat personale. Është operuar drejtë nga kontrolluesi për mbrojtjen e të dhënave nga Policia e Shtetit, është vepruar drejtë nga e-Albania. Natyrisht që ka qenë një mbikëqyrje dhe monitorim i vazhdueshëm nga Zyra e Komisionerit për këtë proces. Kemi ndërhyrë, jemi konsultuar, kemi marrë edhe masa aty ku ka qenë e nevojshme”, deklaroi Dervishi për ATSH. /r.e/























