Ballina Flash

“Filluam një proces vaksinimi në një kohë shumë të shpejtë”/ Manastirliu: Kemi kapacitetet për të ruajtur 250 mijë doza të Pfizer

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi në një intervistë televizive se, “sot është një ditë e rëndësishme për vendin tonë”.

“Kemi filluar një proces vaksinimi dhe e kemi filluar në një kohë shumë të shpejtë, edhe pse ne kemi kohë që përgatitemi, pasi duhet të themi, se e dinim që vaksina do të vinte. Kryeministri Rama ka thënë që vaksinimi do të nisë në javën e tretë të janarit, madje nëse është e mundur edhe më shpejt. Dhe në fakt ka ndodhur që vaksinat kanë ardhur edhe më shpejt, në sajë të një marrëdhënieje bilaterale me një vend mik të BE dhe duke qenë se këto vaksina kanë ardhur menjëherë, ju e dini që janë të gjitha elementet shumë të rëndësishme, nga kushtet e ruajtjes dhe duhet të kryhen sa më shpejt të jetë e mundur. Përse të prisnin qoftë edhe një ditë, ndërkohë që ne duhet t’ia sigurojmë, mjekëve, infermierëve tanë vaksinimin sa më të shpejtë që të jetë e mundur, në momentin që ne i kemi këto vaksina. Dhe aspak nuk bëhet fjalë dhe nuk kemi pasur këtë problematikë me mjekët dhe infermierët për të vendosur se kush do jetë i pari apo kush do jetë i dyti, pasi vetë plani i vaksinimit i hartuar me ekspertët tanë më të mirë që qoftë nga Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit, qoftë nga Komiteti Kombëtar i Imunizimit dhe nga Komiteti Teknik i Ekspertëve kanë vendosur në unanimitet kategoritë prioritetare që do të marrin vaksinën”.

E pyetur se sa mjekë dhe infermierë do të vaksinohen në ditë, Manastirliu tha se, “ne kemi punuar duke vlerësuar të gjithë kushtet dhe kapacitetet prandaj kemi vendosur që të kemi qendra të vaksinimit të përqendruar. Ashtu sikurse kemi zgjedhur Arenën Kombëtare e cila ka një kapacitet 60 postacionesh vaksinimi”.

Manastirliu tha se, “gjithashtu do të shtrihemi edhe në qytete të tjera të Shqipërisë në Shkodër dhe në Vlorë ku kanë filluar përgatitjet për qendrat e tjera të vaksinimit, ku do të realizohet pikërisht vaksinimi i kategorive prioritare, e më tej dhe vaksinimi i popullatës”.

“Vaksinimi që ka filluar tek Arena Kombëtare, sot ishte dita e parë, u vaksinuan 50 mjekë dhe infermierë, kaloi shumë mirë, nuk pati asnjë problematikë, pasi puna paraprake që është bërë është një punë me të vërtetë e rëndësishme”, tha ministrja.

Ajo tha se vaksinimi “do të vijojë me 50, 60 do të rrisim numrat e personave të vaksinuar. Pra do të vijojmë vijojmë me vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve. Sigurisht këtë e vendosin ata të cilët bëjnë planin ditor”.

E pyetur se pse nuk bëhet publik vendi se nga vijnë vaksinat, Manastirliu u shpreh se, “absolutisht ne kemi ruajtur një marrëveshje konfidencialiteti që është bërë me vendin mik të BE, që na ka dhuruar këto vaksina të para”.

Manastirliu u shpreh se, “janë të gjitha 975 dozat janë BioNTech/Pfizer, të gjitha me certifikatat e sigurisë, me të gjitha elementët që duhet të ketë një vaksinë. Dhe sigurisht kanë ardhur nëpërmjet një zinxhiri ftohës”.

Manasitlriu tha se, “me kapacitetin aktual pra me rrjetin e frigoriferëve që kemi në minus 70 gradë, sipas edhe çfarë ekspertët kanë vlerësuar, ne jemi në gjendje që të kemi një kapacitet ftohës për këtë vaksinë deri në 250 mijë doza. Ndërkohë që jemi duke punuar për ta rritur akoma më shumë këtë kapacitet”.

Sa i përket marrëveshjeve për vaksinat, Manastirliu tha se, “marrëveshja e parë është bërë me Pfizer dhe ne presim nga Pfizer 500 mijë doza sipas një kalendari, i cili fillon lëvrimin e tij me partinë e parë në javën e tretë të këtij muaji dhe më pas me 10700 doza dhe më pas me 30 mijë doza në muajin shkurt. Janë 500 mijë doza që do ndahen në një kalendar dhe kjo i përket kalendarit të lëvrimit ku do vijojë vaksinimi”.

Ajo shtoi se, kemi dhe instrumentin e COVAX ku ne kemi parapaguar.

Manastirliu u shpreh se, “COVAX, është duke negociuar për 2 vaksina Pfizer/BioNtech dhe AstraZeneca. Për Pfizer BioNtech ato kanë filluar negociatat e tyre dhe besoj që shumë shpejt do të kemi dhe një lajm”.  /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Asnjë shqetësim pas vaksinimit antiCOVID”/ Kalo: Nuk këshillohet nën moshat 16-vjeç dhe tek gratë shtatzëna
Artikulli tjetërNis vaksinimi antiCOVID/ Kryeministri Edi Rama vaksinohet para kamerave