“Asnjë shqetësim pas vaksinimit antiCOVID”/ Kalo: Nuk këshillohet nën moshat 16-vjeç dhe tek gratë shtatzëna

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Mjeku i njohur Tritan Kalo ka folur në një intervistë televizive disa orë pasi ka bërë vaksinën antiCOVID, duke u shprehur se nuk ka kaluar asnjë efekt anësor dhe se ndihet mirë.

“Të them të drejtën efektet anësore më shumë janë efekte të supozuara, ose më mirë të themi efekte mbrojtëse nga prodhuesit e vaksinës, sesa efekte reale. Unë nuk kam as djegie, as dhimbje në vendin e vaksinimit, as ndonjë temperaturë të ulët, asnjë shqetësim”, tha Kalo.

I pyetur se cilat janë grupmoshat apo personat që nuk do ua rekomandonte ta bënin vaksinën, Kalo u shpreh se, “vetë prodhuesi para se të vaksinohesh të ofron një fletë të gjerë të konsensusit në lidhje me vaksinën, ku përshkruan mjaft mirë përbërësit kimikë në lidhje me vaksinën dhe risqet janë të efekteve anësore”.

Kalo tha se, “vaksina nuk këshillohet nën moshat 16-vjeç, nuk këshillohet tek gratë shtatzëna, pra ka kundërindikim absolut. Plus nëse individët, çdo individ, përfshirë dhe mua, kanë efekte alergjike ndaj atyre produkteve të vaksinës, ose përbërësve të cilët janë përshkuar me hollësi në fletëpërshkrimin e vaksinës”.

I pyetur se çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët që do t’i nënshtrohen procesit të vaksinimit, Kalo tha se, “e mira është që ato që duhet të vaksinohen të parët, pra punonjësit e shëndetësisë që janë në kontakt me të sëmurët dhe mosha mbi 70-vjeç, e vetmja gjë është që nëse kanë ndonjë efekt anësor, temperatura, dhimbje vendi, ose forcim i vendit ku injektohet, dhimbje koke, rritje temperaturash, jo vetëm që të marrin shpejt dy tableta paracetamol, por e mira është që të vënë në dijeni edhe mjeken e familjes se ka bërë vaksinën para 2-3-4 orësh dhe i janë shfaqur këto elementë. Asgjë më shumë se kaq”.

Nëse kjo vaksinë të mbron përfundimisht nga COVID-19, Kalo u shpreh se, “pas vaksinimit me dy doza, zakonisht niveli i mbrojtjes vaksinale arrin në 90-95%. Pra pothuajse në të njëjtën përqindje të mbrojtës imunitare si për vaksinat e tjera”.

Kalo tha se, “problemi është me këtë lloj vaksine, duke qenë një infeksion i ri, askush nuk i di limitet kohore. Thuhet është e dobishme së paku 9 muaj nëse arrihet niveli i antikorpeve, aq sa është parashikuar me dozën e dytë, por më tej se ç’bëhet pas 9 muajve vështirë të parashikohet”.

I pyetur nëse vaksinimi vazhdon rigorozisht a merr fund pandemia deri në verë, Kalo u përgjigj se, “tani duke pasur edhe vaksinën në duar, duke pasur këtë mundësi mbrojtëse, që krahas imunitetit të fituar, pra atij që quhet imunitet aktiv nëpërmjet kalimit të infeksionit, nëpërmjet vaksinimit që krijon imunitet, pasi shton numrin e atyre që janë të mbrojtur, do të arrijmë një pikë që do ta bëjë të pamundur që virusi të agresojë më organizmat tashmë të mbrojtur. Nëse i kapemi harkut kohor të 18 muajve, po marr më të shumtën, atëherë i bie që të kemi një verë të gëzueshme dhe jo aq të trishtueshme sa kaluam në 2020-ën”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.