Emërimi i Olta Xhaçkës dhe Niko Peleshit/ Kim: Shpresojmë të punojmë së bashku për të siguruar që SHBA dhe Shqipëria të mbeten miq e aleatë

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/-Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka falënderuar sot ish-ministrin në detyrë për Europën dhe Punë te Jashtme, Gent Cakaj për përpjekjet e tij për forcimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë.

“Faleminderit Gent Cakaj për të gjitha përpjekjet tuaja për të forcuar marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë, përfshirë ato si aleatë të NATO-s. Miqësia midis dy vendeve tona vazhdon për shkak të udhëheqësve si ju. Ju urojmë suksese në të gjitha përpjekjet tuaja të ardhshme. Faleminderit!”, është shprehur ambasadorja Kim.

Kim gjithashtu ka mirëpritur emërimin e Olta Xhaçkës si ministre  e Jashtme dhe Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes.

“Ne e mirëpresim emërimin e Olta Xhaçkës si ministre  e Jashtme. Ajo ishte një partnere e jashtëzakonshme në forcimin e marrëdhënieve të mbrojtjes midis SHBA dhe Shqipërisë dhe rritjes së aftësive të Shqipërisë si një vend aleat i NATO-s. Ne shpresojmë të punojmë ngushtë së bashku për të forcuar më tej partneritetin tonë diplomatik”, ka thënë Kim.

“Ne e mirëpresim emërimin e Niko Peleshi si Ministër i Mbrojtjes. Ne shpresojmë të punojmë së bashku për të siguruar që SHBA dhe Shqipëria të mbeten miqtë, partnerët dhe aleatët më të fortë të NATO-s”, përfundoi Kim. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.