TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, vlerësoi sot fjalën e mbajtur prej kongresmenit Eliot Engel në dëgjesën e tij të fundit mbi Ballkanin.
“Kongresmeni Engel shpreh fare qartë, jo vetëm thirrjen që Serbia të pajtohet me realitetin e ri në Ballkan, duke njohur Republikën e Kosovës, por edhe absurditetin e plotë të pengimit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thekson Cakaj në reagimin e tij.
Për më shumë, Cakaj shprehet se, derisa Engel është i qartë në rëndësinë e vënies së drejtësisë për këdo që ka kryer krime, ky i fundit po ashtu thekson se Serbia pothuajse s’ka bërë asgjë në ndëshkimin e krimeve të luftës, duke përmendur veçanërisht rastin e vëllezërve Bytyqi.
Sipas Kryediplomatit Cakaj, Kongresmeni Engel ka qenë një prej zërave më të vyer, mbështetësve më të mëdhenj dhe personave më të angazhuar për pavarësinë e Republikës së Kosovës, për tre dekada radhazi.
“Për këtë, ai meriton falënderime të pamata e mirënjohje të pafundme…”, përfundon Cakaj reagimin e tij. /r.e/























