Përkujtimi i Viktimave të Gjenocidit/ Cakaj: Asnjë politikë e mohimit nuk mund të zhbëjë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka kujtuar e nderuar çdo viktimë të pafajshme të praktikave gjenocidiale në botë, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit.

“Sot kujtojmë veçanërisht viktimat e gjenocidit të ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë”, u shpreh Cakaj në reagimin e tij.

Sipas Kryediplomatit Cakaj, fatkeqësisht Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje ende, për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur fatin e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit.

“Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë”, vijoi Cakaj.

Kreu i Diplomacisë theksoi se përkushtimi për një të ardhme paqësore nuk nënkupton edhe harresën e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Sipas tij, nderimi i viktimave, kërkim-falja nga ana e Serbisë e zbardhja e plotë e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.