Ballina Bota

BRUKSEL – Bisedime Stoltenberg-Macron rreth Mesdheut

BRUKSEL, 3 dhjetor /ATSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se kishte zhvilluar bisedime produktive mbi aleancën dhe situatën në rajonin e Mesdheut me presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Bisedë e mirë me Emmanuel Macron në rrugën drejt projektit NATO 2030 për ta bërë Aleancën tonë edhe më të fortë”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Ai shtoi se kishin diskutuar gjithashtu mbi situatën në rajonin e Mesdheut dhe rëndësinë e përdorimit të NATO-s si një platformë politike për të trajtuar çështje të vështira dhe për të arritur qasje të përbashkëta.

Më parë, Stoltenberg ishte shprehur se projekti NATO 2030 synon ta bëjë aleancën edhe më të fortë ushtarakisht dhe politikisht për të qenë në gjendje sipas tij të trajtojë sfidat e së nesërmes.

Si pjesë e projektit, një grup ekspertësh do të ofrojnë rekomandime për të forcuar unitetin e NATO-s dhe për të rritur koordinimin politik midis aleatëve.

Grupi, i përbërë nga 10 ekspertë, bashkëkryesohet nga Thomas de Maiziere, ish-ministri gjerman i Punëve të Brendshme dhe Mbrojtjes dhe Wess Mitchell, ish-ndihmës sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet evropiane dhe euroaziatike./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKonsolidimi financiar i bankave/ Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi rregulloren për raportin neto
Artikulli tjetërMasat antiCovid/ Pika e kalimit kufitar të Kapshticës mbetet e mbyllur deri më 14 dhjetor